Projektet e mëdha janë gati! Qeveria thotë se ka ndërtues, por kompanitë janë më realiste

TË FUNDIT

Hekurudha e shpejtë, trase të reja, rrugët që i ndërton Bechtel-Enka… Shteti ka miliarda euro investime në letër, por a ka mjaft ndërtues që do t’i realizojnë në terren? Pikërisht kjo pyetje – a ka kush t’i ndërtojë – ishte temë e takimit të djeshëm mes Odës së Ndërtimit dhe Qeverisë. Nga qeveria u shprehën të kënaqur nga ajo që dëgjuan.

“Janë të gatshëm të punojnë. Deri tani në kompanitë ndërtimore janë të punësuar 47.000 persona. Këto janë të dhëna që i dhanë ata, jo ne si qeveri. Ata kishin bërë konsultime para takimit, dhe mund të them sërish se janë të gatshëm”, u shpreh Gordana Dimitrieska Koçoska – ministre e Financave.

Ministrja thotë se nuk është përmendur se do të nevojitet import i fuqisë punëtore që kompanitë të ndërtojnë. Por, është paraqitur një problem tjetër. Maqedonia nuk ka kuadër të mjaftueshëm profesional në fushën e ndërtimtarisë. Për projektimin e tuneleve, ekziston vetëm një inxhinier.

“Besoj se tashmë Maqedonia, ashtu si edhe në nivel global, është bërë e ngushtë për ekspertë më të mëdhenj, ata lëvizin ndërkombëtarisht. Besoj se do të gjenden nëse nuk janë këtu, por dje nuk u komentua diçka e tillë…”, tha ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska.

Pavarësisht kësaj, Qeveria pret realizim të përshpejtuar të shpenzimeve kapitale dhe do të mbajë takime tremujore me Odën e Ndërtimit. Plani është bashkëpunim i ngushtë për të parandaluar vonesat në terren dhe administrata të reagojë kur ka bllokada.