Profesorët e universiteteve kërkojnë rritje pagash! Qeveria: Duhet pasur parasysh krizën ekonomike

TË FUNDIT

Lidhja e sindikatave të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” kërkuan nga Qeveria 25%  rritje të pagave për punonjësit. Ata sot zhvilluan takim në Qeveri bashkë me kryeministrin Kovaçevski, zv/kryeministrin Bytyqi dhe ministrin Shaqiri.

Pas takimit kryetari i kësaj sindikate Angel Ristov, tregoi se i kanë paraqitur kërkesat e tyre dhe shtoi se nëse nuk investohet në arsim nuk ka as të ardhme.

 “Kemi paraqitur kërkesat tona, argumentet. Ata nga ana e tyre gjithashtu treguan gjendjen e rëndë ekonomike dhe financiare. Në fund treguan që ekziston vullnet politik për plotësimin e kërkesave të Sindikatës, megjithatë kërkuan pak kohë për të bërë kalkulime shtesë, sepse në periudhën e ardhshme është miratimi i buxhetit për vitin e ri. Kështu që në të ardhmen e afërt kemi sërish një takim në të cilin do të jemi të ftuar dhe presim një përgjigje pozitive të kërkesave tona, sepse një vend nëse nuk investon në arsimin e lartë, ai vend nuk ka të ardhme”, theksoi Angel Ristov, kryetar i Lidhjes së Sindikatave të Univeristetit “Shën Cirili dhe Metodi”.

Ndërsa nga Qeveria përmes një komunikate për media, theksuan se duhet vlerësuar puna e profesorëve, por se duhet të kihet parasysh edhe situatëa në vend me krizën ekonomike.

“U theksua se në katër vitet e fundit, pagat e punonjësve të Universiteteve janë rritur gjithsej 20%, pra 5%, prej shtatorit të 2019, 8% nga shtatori 2021, dhe 7% nga shtatori i këtij viti. Gjithashtu u theksua nga kryeministri dhe ministrat  se do të bëhen analiza dhe përllogaritje të detajuara për vazhdimin e rritjes së pagave në arsimin e lartë në vitin e ardhshëm, por nga sindikata u kërkua riorganizimi i fakulteteve dhe prezantimi i ri atraktiv, programet e studimit të cilat do të rrisin të ardhurat e veta të institucioneve të arsimit të lartë”, thonë nga Qeveria.

Gjithashtu nga ana e Qeverisë theksuan që do ketë bursa për studimet pasuniversitare dhe doktoraturë. Sipas kësaj me këtë politikë të bursave si­ thonë, do inkurajojnë studentët e suksesshëm të angazhohen në punë shkencore.