Probleme me shëndetin, Shkëlzen Jetishi anulon aktivitetet muzikore për këtë vit

TË FUNDIT

Këngëtari shqiptar, Shkëlzen Jetishi – Xeni, ka njoftuar se këtë vit ka vendosur të pauzojë dhe ka anuluar të gjitha aktivitetet muzikore.

“Pas shumë viteve angazhim të pa ndalshëm dhe pas intervenimit kirurgjik që kam pasur, në konsultim me mjekun, kam vendosur që këtë vit të pushojë dhe t’i anulojë te gjitha aktivitetet e mija muzikore”, ka shkruar Xeni në Facebook.

Tutje, artisti i falënderoi të gjithë për përkrahjen e vazhdueshme.

“Pas shumë vite së bashku në shumë koncerte, albume, ahengje familjare dhe aktivitete të ndryshme muzikore, duke i qëndruar besnik këngës popullore edhe ne kohë të vështira, ku aktivitetin muzikor e kishim të ndaluar, dua të ju falënderojë për përkrahjen e pandalshme në kohë dhimbje dhe gëzimi. Pa mbështetjen tuaj të vazhdueshme, nuk do të isha Xeni që jam sot. Të gjitha të arriturat i konsideroj si vlerë të përbashkët”, ka shtuar Jetishi.

Ai njëkohësisht bëri të ditur se dëshiron që në këtë kohë të kalojë kohë më shumë me familjen, shokët, miqtë.

Xeni është pjesë e skenës tashmë sa vjet, ku ka sjellë projekte të shumta muzikore.