Prishtinë: Protestojnë ndërtimtarët

TË FUNDIT

Shoqata e ndërtuesve në Prishtinë, kanë paralajmëruar se sot do protestojnë, për siç thonë ata injorimin e zyrtarëve të Komunës së Prishtinës karshi kërkesave të shoqatës së ndërtimtarëve. Ndër kërkesat e tyre është edhe shkarkimi i dy zyrtarëve komunal, drejtorit të Urbanizmit Liburn Aliut dhe të shefit të sektorit të Ndërtimeve Ergyn Hajredinit.

Shoqata e Ndërtimtarëve dhe Prodhuesve të Materialeve Ndërtimore kërkon respektimin e ligjit të ndërtimit i cili është në fuqi, si dhe të respektohen të drejtat e këtyre bizneseve dhe të mos zvarriten me muaj e vite dhëniet e lejeve, gjithashtu të mos ketë kërkesa të jashtëligjshme nga Komuna e Prishtinës, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Këshilli Organizativ i Protestës së Ndërtimtarëve dhe Prodhuesve të Materialeve Ndërtimore, njoftoi se marshin i protestës, nis në orën 9:30 duke filluar nga rrethi i spitalit, për të vazhduar drejt Komunës së Prishtinës.

Ndërsa në orën 10, në Sheshin “Skënderbeu”, mblidhen menaxherët dhe punëtorët e bizneseve të ndërtimtarisë, zejtarë, e të tjerë të cilët kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë protestë paqësore.

Në bazë të këtij njoftimi para Komunës së Prishtinës do të ndalen për 30 minuta, ku do të shtrohen edhe kërkesat e Ndërtimtarëve dhe Prodhuesve të Materialeve Ndërtimore, si dhe do të ketë një aksion simbolik.

Njoftimi më pas sqaron se marshi i protestuesve do të vazhdojë tek objekti i ri i Komunës së Prishtinës, përkatësisht tek Drejtoria e Urbanizmit dhe Kadastrës, edhe aty do të ketë fjalime./21MEDIA