Stadiumi i Prishtinës do të gëzojë projektin prej 3 milion eurove për rinovimin e tij. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prishtinës nënshkruan sot një memorandum bashkëpunimi, që ka për qëllim përmirësimin e infrastrukturës sportive për këtë stadium.
Projekti i cili fillon këtë vit, parashihet të përfundojë brenda vitit 2016 dhe me të kryeqyteti do të ketë një stadium i cili do të jetë me standarde ndërkombëtare.
Ministri i MKRS-së, Kujtim Shala tha se ky projekt në vlerë prej 3 milion euro është i ndarë në dy faza, ku në fazën fillestarë parashihet të shpenzohen 1 milion e 700 mijë, ndërsa në fazën përfundimtare 1 milion e 300 mijë euro. Qeveria do të marrë përsipër 75 për qind të investimit, ndërsa Komuna e Prishtinës 25 për qind të investimeve. Projekti fillon në këtë vit dhe pritet të përfundojë brenda vitit 2016.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, tha se ky është një moment shumë i rëndësishëm, meqë, sipas tij, bashkëpunimi mes Komunës së Prishtinës dhe MKRS-së po thellohet dhe po hap rrugë drejt investimeve të reja të përbashkëta të këtyre institucioneve.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se do të punojnë që me këtë bashkëpunim që kanë me MKRS-në të kemi stadiumin më të mirë në kryeqytet, i cili do të jetë i gatshëm edhe për gara ndërkombëtare.
Kryetari i Federatës së Futbollit, Fadil Vokrri, tha se është i ekzagjeruar për këtë investim, i cili është shumë i rëndësishëm për futbollin kosovar, pasi që futbolli është në një fazë më afër në kalimin e tij në instancat ndërkombëtar.Prandaj, sipas tij, ky është momenti më historik deri më tani për futbollin kosovar.
