Prioritetet strategjike të BE-së dhe NATO-s në EJL! Mucunski: Nevojitet strategji e NATO-s dhe BE-së për integrimin e plotë të rajonit

TË FUNDIT

Ukraina paraqet sfidën më serioze për sigurinë europiane dhe euroatlantike pas Luftës së Ftohtë. Ballkani Perëndimor përballet me aktivitete të rritura të aktorëve keqdashës që përpiqen të ndërhyjnë në proceset demokratike përmes presionit ekonomik, ndikimeve politike dhe fushatave dezinformuese. Këtë e theksoi ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, i cili tha se kontributi ynë në Aleancë ka rëndësi të veçantë.

“Këto trende kërkojnë një reagim të intensifikuar, afatgjatë dhe të koordinuar si nga NATO ashtu edhe nga Bashkimi Evropian. Kërkesa jonë është krijimi i një strategjie afatgjatë nga NATO dhe BE-ja për rajonin, e cila do të rezultojë në integrimin e plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat e NATO-s dhe BE-së”, tha Timço Mucunski.

Përmes një video-fjalimi, zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmilla Sheqerinska, theksoi se bashkëpunimi midis NATO-s dhe BE-së është i fortë për të përballuar së bashku sfidat jo vetëm në Ukrainë, por edhe në rajon. Maqedonia prej 5 vitesh nga anëtarësimi në Aleancë kontribuon për stabilitet, dhe anëtarësimi garanton siguri për vendin.

“Stabiliteti dhe suksesi në këtë pjesë të Europës janë thelbësore për sigurinë tonë. Anëtarësimi ynë në NATO ka garantuar dhe vazhdon të garantojë progresin dhe sigurinë e vendit dhe kufijve tanë”, deklaroi Radmilla Sheqerinska.

Ambasadorja e SHBA-ve, Angela Aggeler, theksoi se investimi në mbrojtje nuk është zgjedhje, por nevojë, dhe i bëri thirrje të gjithë aleatëve ta vazhdojnë këtë.

“Ne i ftojmë Maqedoninë e Veriut të vazhdojë nivelin e nevojshëm të kontributeve për të mbajtur fuqinë e NATO-s, duke përfshirë 5% për mbrojtjen. Ata kanë bërë një hap përpara më parë dhe meritojnë njohje, duke e bërë mbrojtjen një prioritet kombëtar”, u shpreh Angela Aggeler.

Ambasadorja gjermane Petra Dreksler tha se Europa duhet të forcohet jo vetëm përmes reformave të brendshme, por edhe përmes zgjerimit. Veçanërisht në kohë sfidash gjeopolitike, vetëm një Evropë e fortë dhe e bashkuar mund të garantojë prosperitet, siguri dhe liri afatgjatë.

“Ministri Vadful, i cili së fundi vizitoi të gjitha 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, theksoi se rajoni është pjesë integrale e familjes evropiane dhe se BE-ja nuk është vetëm premtim, por realitet; anëtarësimi i plotë bazuar në sistemin e meritës është një perspektivë konkrete”, theksoi Petra Dreksler.

Nënkryetari i Kuvendit, deputeti Antonio Miloshoski tha se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE nuk është i nevojshëm vetëm për vendet e rajonit, por edhe për vetë BE-në dhe NATO-n.