Princ Dobroshi në Hamburg dënohet me 13 vjet burgim për trafik kokaine

TË FUNDIT

Princ Dobroshi, 61 vjeç, u shpall fajtor të mërkurën e 17.09.2025 dhe u dënua me 13 vjet burgim, nga Gjykata Rajonale e Hamburgut në Gjermani nën akuzat për trafik të kokainës, ka raportuar gazeta gjermane “Bild”.Gjykimi është zhvilluar për dhjetëra tonelata kokaine të kontrabanduar nga Amerika Jugore dhe Qendrore me anije nëpërmjet portit të Hamburgut më 2020.“Bild” shkruan se Dobroshi akuzohet se ishte organizatori i dërgesave. Dobroshi për dekada me radhë është njohur si “Peshkaqeni.” Ai është me prejardhje nga Peja.

Gazeta gjermane shkruan më tej se Dobroshi e kishte nisur aktivitetin e tij si kontrabandist droge në vitet 1990. Ai ishte arrestuar në Norvegji më 1993 dhe do të arratisej nga burgu në vitin 1997. Pastaj do të kapej në Pragë në vitin 1999 dhe do të lirohej në vitin 2005. Gjykata tani e ka konsideruar të vërtetuar se ai përsëri kishte rol kyç në krimin e organizuar. Kokaina do të transportohej përtej Atlantikut në kontejnerë nga Kolumbia, Brazili ose Republika Dominikane, mbushur me banane, oriz, qymyr druri ose xhelatinë.Kontejnerët hapeshin në Hamburg dhe, pasi shkarkoheshin substancat narkotike, rivuloseshin me vula të falsifikuara. Dobroshi ishte gjithmonë në dijeni të bisedave dhe organizonte transportin. Dyshohet se të përfshirë ishin edhe punëtorët e portit gjerman. Rrjeti mbulonte të gjithë logjistikën – deri në rishitjen shumëmilionëshe.

Dëshmitë kryesore janë siguruar nga deshifrimi i aplikacionit të kriptovalutave, “EncroChat.” Dobroshi u arrestua në Shqipëri në fund të vitit 2023 dhe u ekstradua në Gjermani në vitin 2024. Pas heshtjes fillestare, “Peshkaqeni” ndau mendjen që të fliste, shkruan “Bild”. Kjo i shërbeu si rrethanë lehtësuese. “Gjyqi në fakt duhej të zgjaste deri më 1 prill 2026. Prandaj u kursyen 42 ditë të gjyqit”- ka deklaruar për “Bildin”, Marayke Frantzen, zëdhënëse e gjykatës.

Megjithatë, faktorë rëndues janë konsideruar sasia e drogës dhe roli kryesor i Dobroshit në rrjetin e bandave.Përveç dënimit me burg, shteti gjerman ia kërkon Dobroshit 8.2 milionë euro dëmshpërblim. 2.5 milionë euro para të gatshme janë sekuestruar tashmë në vitin 2020. Zyra e prokurorit publik duhet vetëm të përcaktojë se si do t’i rikuperojë paratë e mbetura./Kallxo