Nuk do të dorëzohemi kurrë. Këtë mesazh ia dërgoi avokati Toni Menkinoski autoriteteve bullgare, pasi dje në kufi mori vulë të zezë në pasaportë dhe ndalim hyrjeje në Bullgari për 10 vitet e ardhshme. Në arsyetimin e vendimit thuhej se ai përbënte kërcënim për sigurinë kombëtare të Republikës së Bullgarisë. Menkinoski e quajti vendimin skandaloz, duke e konsideruar presion dhe përpjekje për të heshtur për shkak të rolit të tij si përfaqësues ligjor i maqedonasve në Bullgari para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
TONI MENKINOSKI, AVOKAT
-Do t’i informoj së pari Kombet e Bashkuara dhe të gjitha komisionet e përhershme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Këshillin e Evropës, Komisionerin për të drejtat e njeriut, OSBE-në, pra do të dorëzoj kërkesë, si dhe qeverinë e Maqedonisë, Ministrinë e Jashtme maqedonase dhe Avokatin e Popullit. Sepse kjo është çështje shumë serioze, bëhet fjalë për kufizim, jo për mua si avokat, por për mua si maqedonas.
Deklarimi i një avokati si kërcënim për sigurinë kombëtare sepse mbron të drejtat e njeriut përbën një precedent të rrezikshëm për Evropën – tha Menkinoski dhe e quajti një turp të madh jo vetëm për Bullgarinë, por edhe për BE-në dhe NATO-n. Ai theksoi se ndalimi erdhi në momentin kur para Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës po rishqyrtohet çështja e moszbatimit të 14 vendimeve që lidhen me OMO Ilinden. Kjo është mënyrë për të ushtruar presion mbi mua dhe mbi maqedonasit në Bullgari për moszbatimin e vendimeve – tha ai.
TONI MENKINOSKI, AVOKAT
-Kjo nuk do të më frikësojë mua as nuk do të dorëzohemi kurrë, kurrë. Kjo tregon të vërtetën për mentalitetin shovinist bullgar. Ky është vendim i qeverisë, nuk është vendim i ndonjë organi tjetër. Për të marrë një vendim të tillë për ndalim hyrjeje, ju duhet të keni informacion nga Ministria e Brendshme dhe agjencia e tyre e inteligjencës për ta konfirmuar.
Menkinoski informoi se së fundmi, në dhjetor, e ka kaluar kufirin bullgar pa probleme dhe se që nga viti 2001 deri tani, përveç ndonjë kontrolli personal, nuk pati probleme të tjera gjatë hyrjes në Bullgari. Ai supozon se ndalimi bullgar vlen edhe për të gjitha vendet e zonës Shengen, pasi Bullgaria duhet t’i njoftojë ato. Përgjigje për këtë pret nga ambasadori evropian në vend, Mihalis Rokas.
Për këtë ngjarje, kryeministri i vendit Hristijan Mickoski tha se nëse konfirmohet si e vërtetë, është një turp tjetër për demokracinë tek fqinjët tanë lindorë. “Do të ndihesha i turpëruar të isha një njeri që ulet në të njëjtën tryezë dhe duhet të ndajë të njëjtat vlera me politikanët tek fqinjët lindorë. Këtu mendoj për vendet anëtare të Bashkimit Evropian që duhet të reagojnë, nëse kjo është e tillë,” deklaroi Mickoski.
