Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Nju Jork të SHBA-së mori pjesë në Nismën Globale Clinton, përcjell TV21. Osmani ka publikuar në rrjetet sociale pamje ku shihet në panel diskutim, së bashku me ish-presidentin amerikan Bill Clinton.
“E nderuar që rrëfimin e Kosovës, nga çlirimi e deri më sot, ta ndaj së bashku me Presidentin Clinton në New York në prani të një audience të jashtëzakonshme nga e gjithë bota. Mirënjohje e përjetshme për aleatin tonë historik, Shtetet e Bashkuara”, ka shkruar Osmani.
Clinton Global Initiative (CGI) është një platformë ndërkombëtare e themeluar nga ish-presidenti amerikan Bill Clinton në vitin 2005, me qëllim që të mbledhë liderë nga fusha të ndryshme, politikë, biznes, filantropi, akademi dhe shoqëri civile, për të bashkëpunuar në zgjidhjen e disa prej sfidave më të mëdha globale. CGI nuk është organizatë që jep grante, por funksionon si një platformë për angazhime konkrete, të quajtura “Commitments to Action”. Pjesëmarrësit angazhohen të ndërmarrin projekte specifike që kanë ndikim social, mjedisor ose ekonomik.
