Shefi i shtetit në fillim të fjalimit të tij vjetor para opinionit publik, u prit me transparente të deputetëve të VMRO-DPMNE-së. Identiteti shitet, Pendarovski po hesht, President me vota të blera, Stevo shërbëtor i Zaevit, janë vetëm disa prej porosive të shkruara në transparentet. Pas disa minutash, ata e lëshuan sallën, ndërsa Pendarovski vazhdoi me fjalimin e tij para deputetëve të shumicës parlamentare. Në fillim, Presidenti shprehu ngushëllime familjeve me heshtje njëminutëshe për të gjithë ata që humbën jetë si pasojë e pandemisë me Kovid 19.
“Të gjithë i mbajmë mend skenat e dhimbshme në disa nga vendet më të fuqishme në botë ku njerëzit po prisnin para dyerve të spitaleve ku nuk kishte asnjë strat të lirë. Pandemia ka ushtruar presion të madh mbi sistemin tonë shëndetësor, por çdo analizë objektive do të tregojë se shteti në përgjithësi situatën me pandeminë e ka menaxhuar në mënyrë racionale”, theksoi Stevo Pendarovski – President i Maqedonisë së Veriut.
Pendarovski tha se këtë vit u bëmë anëtare e plotfuqishme e NATO-s dhe se krahas pengimit të fillimit të negociatave mbetemi në rrugën drejt BE-së. Për çështjet e hapura me Bullgari, ai theksoi se e drejta që të identifikohemi si maqedonas të cilët flasin gjuhë maqedonase është proces historik që është përfunduar që moti dhe se nuk ka nevojë të caktohen takime të liderëve.
“Për mua është joserioze që partitë relevante politike të mblidhen dhe solemnisht të nënshkruajnë se ne jemi maqedonas që flasin gjuhë maqedonase. Jam thellësisht i bindur se asnjë nga gjeneratat e sotme të politikanëve nuk ka të drejtë të dakordojë ose të negociojë për këto çështje edhe sot, edhe në të ardhmen, sepse vijat tona të kuqe janë përcaktuar prej kohësh nga ana e atyre që e kanë krijuar këtë vend”, potencoi presidenti i vendit, Stevo Pendarovski.
Në këtë proces, tha ai, nuk mungon përkrahja e madhe e shqiptarëve në vend, që e kishim që në kohën e negociatave me Greqi. Ndryshe nuk mund të jetë për shkak se ky shtet është shtëpia e përbashkët për të gjithë ne.
“Për arsye se unë kam qenë dëshmitar i këtyre proceseve për më shumë se 20 vjet, madje në vitet ’90 kur ne negociuam me Greqinë se faktori politik shqiptar edhe kur ka qenë në pushtet, edhe në opozitë, gjatë të gjitha këtyre viteve ka pasur sjellje dhe mirëkuptim jashtëzakonisht korrekt për përpjekjet tona për ta ruajtur dhe për ta promovuar identitetin maqedonas. Qëndrimi i tillë na ndihmoi të jemi më të fortë në të gjitha takimet me emisarë të huaj, sepse e dinim se pas nesh kemi një pozicion të harmonizuar shtetëror”, u shpreh Stevo Pendarovski – President i Maqedonisë së Veriut.
Ai dërgoi apel që regjistrimi i popullatës që duhet të mbahet vitin e ardhshëm të mos politizohet, por të shihet si operacion statistikor. Pendarovski tha se vitin e ardhshëm fokusi duhet të vendoset në kthimin e shtetit ligjor përmes reformave në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit, përmirësimin e standardit ekonomik. Ashtu siç e filloi fjalimin, ashtu edhe e përfundoi duke u dëshiruar qytetarëve shëndet, si dhe dërgoi porosi deri te qytetarët që gjatë festave në mënyrë të veçantë të respektojnë masat që të kemi më pak të infektuar dhe viktima.
