Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç tha se hetimet për rrëzimin e fluturakes në Jarun të Zagrebit ende janë në vijim dhe se ai nuk dëshiron të japë informacione të paverifikuara për publikun dhe ka paralajmëruar se do të kërkojë forcimin e mbrojtjes kundër ajrore të Kroacisë.
Pas një takimi me shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura Kroate, drejtorët e agjencive të sigurisë dhe inteligjencës, civile dhe ushtarake, komandantin e Forcave Ajrore Kroate dhe Mbrojtjes Ajrore dhe një ekspert nga administrata e inteligjencës së Shtabit të Përgjithshëm, presidenti Milanoviç tha se hetimet për rrëzimin ishin ende në vazhdim.
“Nuk do të flisja për natyrën e avionit që ra në Kroaci dhe për detajet. Do t’u bëja thirrje edhe të tjerëve që çdo 15 minuta iu drejtohen mediave, të mos e bëjnë këtë”, tha Milanoviç.
Presidenti vuri në dukje se hetimi po udhëhiqet nga një departament i pavarur i policisë ushtarake i kryesuar nga ministri kroat i Mbrojtjes, Mario Banozhiç, i cili dje tha se fluturakja e prodhimit sovjetik mbante një bombë ajrore 120 kilogramëshe, pas së cilës ndihmësministri i Mbrojtjes tha se ajo mbante 40 kilogramë eksploziv që shpërtheu në tokë.
“Nuk mund të flasim publikisht për këtë derisa hetimet janë duke vazhduar”, tha Milanoviç. Ai nuk deshi të përgjigjet në pyetjen nëse kishte apo jo bombë ajrore në fluturake.
Presidenti kroat rikujtoi se fluturakja ka kaluar mbi Hungari, por se pret që diçka e tillë të mos ndodhë më.
“Ky është një incident i shëmtuar dhe i rrezikshëm. Kërkoj nga të gjithë ata që kanë njohuri operative nga hetimi të heshtin. Publiku është i qetë dhe i sigurt. Nuk mund ta dimë se nga cila palë ka fluturuar avioni, edhe nëse ka fluturuar nga forcat ukrainase, nuk presim që pala ukrainase ta pranojë këtë edhe nëse ka ardhur nga ana e tyre”, ka theksuar Milanoviç.
Presidenti kërkoi nga Qeveria e Kroacisë që të gjejë fonde për t’i siguruar Kroacisë mbrojtje adekuate ajrore, e cila, siç tha ai, ka mangësi të shumta.
Hetimi për rrëzimin e fluturakes TU-141 që u rrëzua të enjten pas orës 23:00 pranë Konviktit Studentor “Stjepan Radiç” në Zagreb do të përpiqet të përcaktojë saktësisht se nga ka fluturuar droni dhe nëse ka qenë aksident apo i qëllimshëm.
