Gordana Siljanovska Davkova u betua si presidente e Maqedonisë së Veriut, ose sipas saj, Presidente e Maqedonisë, sepse kur e bëri betimin, nuk e përsëriti emrin “Maqedoni e Veriut” siç ia lexoi kryeparlamentari, por e tha vetëm Maqedoni.
“Deklaroj se postin e Presidentit të Maqedonisë do ta kryej me ndërgjegje dhe përgjegjësi, do të respektoj Kushtetutën dhe ligjet, do ta mbroj sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Republikës së Maqedonisë”, tha Gordana Siljanovska-Davkova, presidente e shtetit.
Para sallës së mbushur plot foli pa letër.
U zotua se do të jetë presidente e të gjithëve, si brenda Kuvendit, po ashtu edhe jashtë.
“Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve nuk do të bëj dallime mes jush as etnike, as fetare, pa marrë parasysh se çfarë dallimi.”
Një pjesë të mirë të fjalimit e përqendroi te gratë, duke dhënë kurajo se edhe ato mund të arrijnë shumë në politikë dhe sferat e tjera. Theksoi se duhet t’i kalojmë ndarjet ballkanike dhe të europianizohemi.
“Ashtu do të ndihmojmë edhe të europianizohemi dhe t’i kalojmë ndarjet ballkanike, mundet dikush të më tërheq vërejtjen që e përmenda vetëm z.Mickoskin, ja pra para meje është z.Kovaçevski, dua ta përmend edhe atë, dhe ai guxon të më lajmërohet, jo vetëm në Fejsbuk të më dëshirojë mirëseardhje dhe punë të suksesshme, por edhe të flasim.”
Të pranishëm në Kuvend ishin edhe dy krerët e partive LSDM dhe VMRO-DPMNE, Dimitar Kovaçevski dhe Hristijan Mickoski të cilët në fund I shtrënguan duar njëri-tjetrit.
Gjersa po zgjaste seanca solemne, mes tyre i ulur ishte Bilall Kasami nga koalicioni VLEN.
Nga ish-presidentët, i pranishëm ishte ish-presidenti Gjorgje Ivanov, ndërsa mungoi Branko Cërvenkovski. Stevo Pendarovski po e priste presidenten e re në Vilën “Vodno”.
Pas kësaj zyrtarë të shumtë e deputetë erdhën për ta uruar Presidenten e re, gjersa nuk munguan as përqafimet.
