Prenga flet pas ndeshjes me Joshuan: Respekt maksimal për të dhe për fitoren External Inbox

TË FUNDIT

Boksieri shqiptar Kristian Prenga ka reaguar pas duelit spektakolar ndaj Anthony Joshuas në Jeddah, ku për pak shkroi historinë.

Prenga e dërgoi dy herë në tapet ish-kampionin e botës në raundin e parë, por u mposht me nokaut në raundin e dytë.

Në një postim emocionues në profilin e tij, Prenga shkruan:

“Të ndaja ringun me një kampion si Anthony Joshua ishte një eksperiencë shumë e rëndësishme. Respekt maksimal për të dhe për fitoren.”

Ai flet për momentin ku e pa fitoren afër:

“Raundi i parë me tregoi se mund të përballemi me më të mirët, por në këtë nivel një sekondë ta ndryshon fatin.”

Dhe jep mesazhin inspirues pas humbjes:

“Humbja të detyron të shihesh në pasqyrë dhe të mësosh atë që fitorja ta fsheh. Kjo ndeshje nuk më thyen. Do ta përdor këtë eksperiencë për t’u rikthyer shumë më i fortë.”

Në fund, boksieri shqiptar ka një mesazh për të gjithë shqiptarët:

“Ndjekësve të mi shqiptarë u kërkoj ndjesë që nuk ju solla fitoren, faleminderit Zotit për çdo gjë! Zoti i bekoftë shqiptarët!”

Me këtë humbje, rekordi i Kristian Prengës shkon në 22 fitore me 20 nokaut dhe 2 humbje në boksin profesionist.

Përkundër epilogut, boksieri shqiptar tregoi se i përket nivelit elitë, duke qenë i pari që dërgoi dy herë në tapet Anthony Joshuan në një raund.