Edhe pse Ministria e Arsimit ka pritur dhe ka përcjellë shumë ministra, ende nuk mund të themi se gjendja në arsim është për t’u vlerësuar pozitivisht. Nevojat dhe kërkesat në arsim 10 vitet e fundit janë rritur duke pasur parasysh se është zhvilluar digjitalizimi dhe shkenca. Por në procesin mësimor ka shumë gjëra që mungojnë dhe nuk plotësojnë kushtet e nxënësve. Duke filluar nga librat, kushtet shkollore, kushtet për mësim në gjuhën amtare e të tjera.
Duke filluar nga hapja e paraleleve shqipe në komunën e Çashkës, disa ministra me radhë kanë premtuar që kjo gjë do të realizohet por fatkeqësisht këtë të drejtë nuk e gëzojnë ata nxënës. Arsyeja për këtë është se në shkollën “Todor Janev” në Çashkë, prindërit kanë të drejtë më tepër se Kushtetuta, respektivisht se prindërit maqedonas nuk lejojnë hapjen e paraleleve shqipe. Ashtu si për çështjet tjera, edhe për këtë problem ministri i arsimit Jeton Shaqiri është përgjigjur me “DO TË” bëhet.
“Dhe do të bëjmë maksimumin dhe premtoj që çdo gjë nga ana e ministrisë konform ligjit, leja do të jepet. Bashkë unë dhe kryetari i komunës së Çashkës dhe gjithë banorët atje në kohën në të cilën jetojmë të mos na pengojë se kush në cilën gjuhë dëshiron të mësojë mësimin”, tha Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit.
Mes problemeve të shumta, Shaqiri pati premtuar edhe ndërtimin e shkollës shqipe në Idrizovë mirëpo kanë kaluar më tepër se një vit nga ky premtim dhe kjo çështje është lënë në harresë.
“Dy këto shkolla do të jenë në prioritetet tona duhet të shohim çështjen nga dokumentacioni edhe dokumentacioni teknik që ka të bëjë me pushtetin lokal, çështjet pronësore juridike”, deklaroi Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit.
Sa i përket gjimnazit “Sami Frashëri” në Kumanovë, ministri Shaqiri ka njoftuar se ka ndarë mjete për këtë shkollë mirëpo pret nga komuna e Kumanovës që të dorëzojë dokumentacionin e projektit me qëllim që të vendoset se çfarë më tutje.
“Mjetet buxhetore janë në llogari të veçantë dhe nuk preken, janë vetëm për gjimnazin Sami Frashëri. Rreth 60 milion këtë vit, 70 milion vitin tjetër dhe do të sigurohen mjete plotësuese nëse ka nevojë sepse në momentin e vlerësimit të projektit që organizojmë procedurat për operator ekonomik, t’i lë deklaratat dhe apeloj, në ditën që sjellë projektin, brenda 10 ditëve, për të disatën herë po e them, do të organizojmë të gjitha procedurat në afat maksimal ne si ministri për të shpallur procedurat për operator ekonomik”, pohoi Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit.
Bashkimi Demokratik për Integrim pati premtuar projekte kapitale duke ndërtuar shkolla të reja në Vizbeg, Klukovec, Sellcë, Çair, Bllacë,dhe Reçicë të Vogël. Dy të fundit kanë përfunduar ndërsa në Vizbeg është në ndërtim e sipër dhe pritet të lëshohet në përdorim në shtator për vitin shkollor 2023/2024. Ndërkohë në Klukovec, Sellcë dhe Çair punimet as që kanë filluar.
Mungesa dhe pajisja jo e plotë me libra për nxënësit është problematikë tjetër e cila ka shqetësuar të gjithë nxënësit, prindërit e mësimdhënësit në fillim të këtij viti shkollor. Mungesë të librave kishte veçanërisht nëpër vendbanimet shqiptare ndërsa edhe ato pak libra që ishin në dispozicion, ishin të grisura. Se cilësia në arsim është e mjerueshme tregon edhe vlerësimi i fundit i PISA-s. Në lexim dhe matematikë nga 77 shtete, Maqedonia renditet në vendin e 67, ndërsa në shkenca natyrore në vendin e 63.