Prej nesër, orë policore në tërë Greqinë dhe masa të reja kufizuese në 27 rajone

TË FUNDIT

Objektet hotelierike, kafenetë, qendrat e fitnesit, muzetë, teatrot do të mbyllen prej nesër në 27 rajone në Greqi, të cilat janë në të ashtuquajturën zona e kuqe, dhe në të gjithë vendin hyn në fuqi ndalimi i lëvizjes, pra ora policore nga mesnata deri në orën 05:00 të mëngjesit, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Greqia, përkatësisht 74 rajonet janë të ndara në dy zona: Zona A-e verdhë dhe zona B-e kuqe.

Në të parën, e cila është “nën vëzhgim” janë 47 rajone dhe 27 të tjerat janë me të kuqe, pra “me rrezik në rritje”, duke përfshirë pothuajse të gjithë veriun e Greqisë dhe Athinën.

Masat që do të zbatohen për të gjithë vendin janë: maskë e detyrueshme si brenda, ashtu edhe jashtë; orë policore nga mesnata deri në 05:00 të mëngjesit; e detyrueshme të paktën 50 për qind e punës nga shtëpia në sektorin publik dhe privat; onllajn leksione të detyrueshme për studentët dhe ndalim të tubimeve.

Në tërë Greqinë, dyqanet me pakicë dhe ushqime, tregjet, sallonet e flokëve, hotelet dhe shkollat ​​mbeten të hapura dhe lëvizja mes rajoneve nuk është e ndaluar.

Në rajonet që janë në fazën e kuqe, objektet e hotelierisë, kafenetë, baret janë të mbyllura, me përjashtim të “delivery” dhe të “take away”, muzetë, teatrot, kinematë, të gjitha llojet e tubimeve janë të ndaluara, konferencat janë të ndaluara, lejohen vetëm sportet individuale dhe garat vetëm në ligat e para në futboll dhe basketboll, si dhe pjesëmarrja e ekipeve në garat evropiane.

Automjetet transportuese në të gjitha pjesët e vendit do të funksionojnë me 65 për qind të kapacitetit, dhe në zonën e kuqe, deri tre persona lejohen në një automjet pasagjerësh (me përjashtim të familjeve), ndërsa në taksi lejohet vetëm një pasagjer.

Kishat dhe ndërtesat fetare në zonën e kuqe do të qëndrojnë të hapura, me maksimum prej nëntë personash të lejuar për liturgji ose rituale dhe ceremoni.

Masat e reja, të cilat do të jenë në fuqi një muaj, të shtunën u kumtuan nga kryeministri grek Kirjakos Micotakis në mesazh televiziv për qytetarët, duke theksuar se kjo nuk ishte “ngrirje e plotë e jetës së përditshme”.

Në të njëjtën kohë, ai përsëriti se “mbyllje e plotë është hapi i fundit, i cili do të ndikojë në ekonomi dhe shoqëri”.

Që nga fillimi i pandemisë në Greqi, janë regjistruar 40.929 raste të Kovid-19, ndërsa 635 persona kanë vdekur. bs/bsh/