Prej nesër çmimet e produkteve të qumështit do të lirohen për 10%, të makaronave për 15%

TË FUNDIT

Prej nesër makaronat do të lirohen për 15 për qind ndërsa produktet e qumështit për 10 për qind, përcjell TV21. Çmimet e këtyre produkteve janë ulur sipas vendimit të Qeverisë javën e kaluar.

Zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi dje tha se vendimet për ngrirjen e çmimeve janë në interes të qytetarëve. Sa i përket uljes së çmimeve të makaronave dhe produkteve të qumështit, ai thotë se tani për tani ulja është e vogël, por më 16 të këtij muaji, respektivisht nesër, shprehet se të gjithë do të duhet t’i ulin çmimet në nivelin që është vendosur.

“Me qëllim kemi dhënë një periudhë kohore sepse janë industri që krijojnë rezerva të caktuara. Ne nuk duam të bëjmë dëm duke vendosur një masë prej sot nesër, sepse jemi të vetëdijshëm që disa lëndë të para që përdorin kanë një çmim të caktuar. Kjo është arsyeja pse ne kemi dhënë një periudhë kohe prej një jave ose më shumë që rezervat e caktuara të mbarojnë dhe natyrisht të fillojmë më tej me çmime më të ulëta të ngrira”, tha dje Fatmir Bytyqi, zv/kryeministër për Çështje Ekonomike.

A do të ngrijnë çmimet e orizit, sheqerit dhe vezëve? Kjo do të vendoset pasi informacioni të dërgohet në Qeveri në Ministrinë e Ekonomisë, ku ende po bëhen analizat nëse do të zbatohet masa, por rezervat do të duhet të përdoren fillimisht përpara se të korrigjohen çmimet.