“Prani online” për deputetët e infketuar! Pushteti kërkon precizim të rregullores, opozita kundërshton

TË FUNDIT

Tre deputetë të infektuar me virusin korona.

Shumica parlamentare po kërkon metodë se si seancat kuvendore të mbahen edhe në distancë.

Në koordinimin që përfaqësuesit e partive politike kishin me Kryeparlamentarin, LSDM e BDI kanë propozuar që deputetët e infektuar ose ata që janë në izolim, në seancë të mund të marrin pjesë online.

 “Në të ardhmen mund në izolim të shkojë i gjithë Komisioni për Financa dhe Buxhet, sepse ai është trupi i punës ku rishikohet edhe rebalanci dhe buxheti, nëse është vetëm një i infektuar në atë sallë, do me thënë kjo që po bëjmë tani, për të cilën duam të sigurojmë konsensus me opozitën, është të kemi disa variante se si Kuvendi do të mbetej funksional edhe në këto raste”, deklaroi Jovan Mitreski nga LSDM.

Ky nuk do të ishte ndryshim i Rregullores së Kuvendit, por të precizojë se mund të ketë edhe prani online.

“Aty parashihet pjesëmarrja e cila nuk është e definuar në mënyrë të saktë a duhet të jetë fizike ose pjesëmarrje nëpërmjet përfaqësimit online. Ne mendojmë ta ndryshojmë Rregulloren e Kuvendit, jo për ta ndryshuar këtë nen por për ta precizuar që pjesëmarrja të jetë fizike ose online”, u shpreh Izet Mexhiti nga BDI.

Duket e vështirë se do të gjejnë mbështetjen e opozitës për këtë gjë. Deputeti i VMRO-DPMNE-së Antonio Milloshovski thotë se Kushtetuta kërkon prani e deputetëve në Kuvend, ndërsa rregullorja në nenin 29 kërkon që deputeti e ka për detyrim të marrë pjesë në seancat e Kuvendit.

 “Nëse me forcë shtyhet projekti “seanca online”, rrezikon krizë politike në Kuvend dhe jashtë, ndërsa në mënyrë shtesë kemi pasiguri juridike. Pse?! Sepse cilido ligj që do të votohej në seancë online, ndërsa Kushtetuta parashikon prani, herët a vonë mund të bien para gjykatës Kushtetuese”, tha Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE.

Deputeti i LSDM-së ndërkaq tha se s’e kanë ndërmend me zor ta shtyjnë këtë punë, andaj edhe po kërkojnë konsensus për rregulloren. E deputeti opozitës shqiptare, Skender Rexhepi, thotë se s’është nevoja të preket rregullorja, sepse Kuvendi ka mjaftueshëm deputetë për të funksionuar.

“Seriozisht është keqpërdorim i gjendjes shëndetësore të deputetëve të cilët ndoshta për momentin mund të jenë edhe në respirator dhe pritet të futen online të komunikojnë. Kuvendi i ka edhe 118 deputetë të tjerë. Mund të funksionojë edhe me 80 ose 100 deputetë. Aspak nuk është problem funksionimi i Kuvendit, është problem harmonizimi i qëndrimeve të përbashkëta pozitë-opozitë”, theksoi Skender Rexhepi – ASH-AAA

Koalicioni “Tash është koha” ndërpreu sot seancën e 15 të Kuvendit, të cilët me vërejtje procedurale kërkuan pauzë sepse rebalanci i buxhetit nuk u dorëzua në gjuhën shqipe, e si pasojë nuk do të mundin që në kohë t’i dorëzojnë amendamentet andaj kërkuan të vazhdohet afati për dorëzim.