Debati për projektligjin e ri për Arsimin e Lartë po thellon përplasjet mes komunitetit akademik, institucioneve dhe organizatave që merren me politikat arsimore, me theks të veçantë te autonomia universitare, përfshirja në procesin e hartimit dhe ndikimi i mundshëm në funksionimin e universiteteve. Profesori universitar Bashkim Ziberi në Click Plus tha se ky Ligj po cenon autonominë e universiteteve, pasi preket segmenti që lidhet me financat vetanake të tyre.
“A duhet të jetë kërkesa edhe për punime me impakt faktor, po, ai indeks pastaj është element shtesë, që do të përdorej p.sh. për punën e përzgjedhjes së kandidatit për dekan, për rektor, njerëz që do të kenë reputacion, që do të mundet nesër të përfaqësojnë me botën e jashtme, dhe ne këtu kemi problem, do të dalim te pika ndoshta që është më nevralgjike prej të gjithave, ne plasim për Ligjin për Arsim të Lartë, por mbi 50% e profesorëve jemi profesorë ordinarë dhe neve nuk na prek ky ligj fare”, tha Bashkim Ziberi – profesor në UT.
Nga ana tjetër, profesori Bujamin Bela theksoi se reforma në arsim është e domosdoshme dhe se ndërhyrja institucionale është e pashmangshme.
“Me sjelljen e këtij ligji duhet të ketë një qasje gjithëpërfshirëse, inkluzive, të përfshihen të gjitha komunitetet, posaçërisht ata të cilët i cenon, qofshin studentët, qofshin stafi akademik dhe administrativ, qofshin senatet e universiteteve edhe sindikatat, të japin mendime që kanë të bëjnë me çështjen e ligjit. Ky lloj debati është mjaft i rëndësishëm, për shkak se cenon drejtpërdrejt në shumë sfera e një ndër to është edhe çështja e migrimit me të cilën ballafaqohet Maqedonia e Veriut”, tha Bujamin Bela – profesor në UNT.
-Ne nuk jemi kundër ligjit, por ky ligj duhet t’i marrë parasysh kërkesat, vërejtjet tona si sugjerime.
Kritika për mungesë transparence në procesin e hartimit të ligjit ngriti edhe Blendi Hodai nga Forumi për Ndryshime në Arsim. Ai bëri të ditur se në shtator 2024 kanë dorëzuar 24 amendamente në Ministrinë e Arsimit lidhur me ligjin aktual, por asnjë prej tyre nuk është reflektuar në draftin e ri të publikuar në ENER rreth një muaj më parë. Sipas tij, duhet të bëhen publikë edhe autorët e ligjit.
“Forumi për Ndryshime në Arsim në shtator të vitit 2024 ka pasur një takim me ministren e Arsimit, Vesna Janevska, ku i kemi dorëzuar 24 amendamente në lidhje me ligjin momental që është, për shkak se nuk ishim të informuar se Qeveria e RMV është duke përgatitur një ligj të ri, dhe prej atyre 24 amendamenteve asnjëra nuk është e reflektuar në ligjin e ri që është publikuar në ENER gati se një muaj. Ligji ka interes publik dhe duhet të bëhen publikë për opinionin se kush janë emrat e autorëve të këtij ligji. 10 -23 universitete shqiptare kanë mohuar se kanë pasur anëtarë në grupet e punës, gjë që nuk është e vërtetë, nëse universitetet del se nuk kanë deleguar askënd në grupet e punës, pyetja e radhës është se nga kush janë deleguar ato, nga shtabet e partive politike”, pohoi Blendi Hodai – Forumi për Ndryshime në Arsim.
Në fund, profesori Bashkim Ziberi u bëri thirrje deputetëve shqiptarë në Kuvend që, nëse ligji nuk pëson ndryshime dhe nëse cenon ekzistimin e universiteteve shqiptare, të mos e përkrahin një draft të tillë.
