Powell sfidon Trump! Mbetet në Bankën Qendrore të SHBA-së edhe pas përfundimit të mandatit

TË FUNDIT

Guvernatori i Rezervës Federale të SHBA-së, Jerome Powell, mbrëmë shprehu qëllimin e tij që edhe pas 15 majit, kur i skadon mandati, të mbetet “për një kohë të pacaktuar” në Bordin e Bankës Qendrore të SHBA-së, ndërsa administrata e presidentit Donald Trump, sipas tij, po ndërmerr sulme ligjore të paprecedenta ndaj këtij institucioni.

“Kam frikë se këto sulme po e dëmtojnë këtë institucion dhe po rrezikojnë gjëra me rëndësi të madhe për publikun”, tha Powell në një konferencë për shtyp, pas vendimit të Rezervës Federale për të mos ndryshuar normën kryesore të interesit.

Vendimi i Powell për të qëndruar në bord i heq Trump-it mundësinë për të plotësuar vendin vakant në bordin prej shtatë anëtarësh të bankës qendrore me kandidatin e tij.

Komiteti bankar i Senatit amerikan më herët ka miratuar pasardhësin e Powell-it si guvernator të bankës qendrore, Kevin Warsh, i nominuar nga Trump, në një votim përgjatë vijave partiake. Powell pritet të mbetet guvernator i FED-it deri në janar 2028.

Warsh ka premtuar “ndryshim regjimi” në bankën qendrore dhe ka paralajmëruar ndryshime të rëndësishme në modelin ekonomik dhe strategjitë e komunikimit të FED-it. Ai është shprehur në favor të uljes së normave të interesit, siç kërkon Trump, por kjo pritet të jetë e vështirë për shkak të inflacionit aktual prej rreth 3%, mbi objektivin 2% të FED-it.

Situata mund të thellojë tensionet mes administratës Trump dhe Rezervës Federale, duke krijuar atë që analistët e quajnë “skenari i dy papëve” – ku si guvernatori aktual ashtu edhe ai i mëparshmi ndikojnë në vendimmarrje brenda bordit.

Emërimi i Warsh-it u bë i mundur pas ndërprerjes së hetimit federal ndaj Powell-it nga administrata Trump, një kusht i vendosur nga senatori republikan Tom Tillis për sigurimin e shumicës në Komitetin Bankar të Senatit.

Prokurorja amerikane për Distriktin e Kolumbias, Jeanine Pirro, njoftoi javën e kaluar se hetimi për rinovimin e ndërtesës së FED-it është ndërprerë, por mund të rihapet nëse dalin fakte të reja. Powell, megjithatë, tha se nuk e konsideron çështjen të mbyllur.

“Po pres që hetimi të përfundojë me të vërtetë – në mënyrë përfundimtare dhe transparente. Pastaj do të largohem kur të mendoj se është e përshtatshme”, tha Powell.