Vend i vogël por me pasuri të mëdha natyrore. Kushtet klimatike në vendin tonë ofrojnë mundësi për zhvillimin e bujqësisë e cila është degë themelore për ekonominë e vendit. Ministri i Bujqësisë, Arjanit Hoxha në një intervistë për TV21, thotë se Maqedonia e Veriut ka potencial të madh për të prodhuar produkte bujqësore, por siç thotë ai, mënyra dhe forma e organizimit të bujqësisë ka edhe shumë për të bërë për të arritur në nivelin e duhur.
“Republika e Maqedonisë së Veriut ka potencial jashtëzakonisht të madh, por jo të shfrytëzuar në aspektin e bujqësisë. Ne kemi tokë pjellore kemi tokë të lirë për t’u prodhuar produktet bujqësore, por për fat të keq mënyra dhe forma e organizimit të bujqësisë ka edhe shumë për t’u bërë për të arritur nivelin e duhur për të mundur që produktet tona të jenë të plasuara në tregjet e huaja dhe normalisht për shumë produkte bujqësore të cilat ne mundemi t’i prodhojmë vetë për t’i siguruar nevojat tona”, tha ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Arjanit Hoxha.
Edhe pse Maqedonia ka potencial të madh për prodhime bujqësore, afaristët vlerësojnë se këto potenciale nuk janë të shfrytëzuara sa duhet për të konkurruar në tregjet botërore, posaçërisht në tregun më të madh blerës, siç është Republika Popullore e Kinës.
“Kina është blerësi më i madh në botë. Momentalisht me Kinën kemi një eksport prej 145 milionë euro, prej të cilave 140 milionë janë, metale, çelik, hekur dhe mermer. Të gjithë industritë tjera kanë vetëm 5 milionë euro eksport në Kinë. Ku mbet këtu Maqedonia me produktet bujqësore. Produktet bujqësore janë kyç. Kina është importuesi më i madh i ushqimit në botë. Ne nuk arrijmë të kapim asgjë nga ky potencial i këtij tregu”, potencoi Kastriot Arifi – biznes menxher.
Por nga ana tjetër, edhe pse synohet tregu më i madh në botë që është Republika Popullore e Kinës ende nuk ka të nënshkruar një marrëveshje bilaterale mes dy vendeve. Ministri Arjanit Hoxha thotë se për të kërkuar marrëveshje bilaterale duhet të dimë se çka ofrojmë në treg. Por një situatë e tillë është edhe me shumë shtete tjera.
