Fotografi dhe video private komprometuese dhe eksplicite të grave dhe vajzave po publikohen në disa rrjete sociale. Fotografitë janë marrë nga profile publike dhe biseda private. Keqpërdoruesit shantazhojnë, kërcënojnë dhe zhvlerësojnë viktimat ndërsa bëjnë edhe thirrje për t’i shfaqur siç thuhet të gjitha “gratë e pandershme”. Qëllimi i publikimit të tillë sipas aktivistes e të drejtave të grave Salija Bekir Halim është dëmtimi i nderit dhe reputacionit të grave. Ndërsa pas ngritjes së zërit për këtë u postua edhe fotografia e saj me qëllim për ta nënçmuar atë.
“Bëhet fjalë për gra dhe vajza që jetojnë edhe jashtë shtetit, ato duhet që në vendet ku banojnë për momentin të shkojnë dhe të paraqesin rastin në polici ku do të bëhet hetimi pasi që ky rrjet është i madh. Por ka edhe viktima që lajmërohen dhe janë të inkurajuara të paraqesin rastin edhe në mënyrë individuale. Për këtë kemi edhe mbështetje nga disa zyre të avokateve të cilët dëshirojnë pa pagesë tu dalin në ndihmë viktimave”, tregon Salija Bekir Halim nga Organizata joqeveritare “Gratë e Shuto Orizares”.
Nga Ministria e Punëve të brendshme janë të njoftuar për rastin dhe për momentin janë duke punuar për t’i kapur keqpërdoruesit. Nga këtu thonë se gjatë pandemisë kjo dukuri është rritur dukshëm duke shtuar se viktima më të shpeshta të keqpërdorimeve të kësaj natyre janë femrat, në të shumtën e rasteve vajza të reja. Për këtë policia e Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me policinë e Kroacisë, Sllovenisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës kanë nisur fushatën “Thuaj jo”, që ka për qëllim luftimin e keqpërdorimit seksual në internet.
“Shumë është me rëndësi tu tregohet të rinjve që duhet të kenë kujdes së pari me kë komunikojnë dhe se çfarë shpërndajnë në rrjetet sociale. Çdo fotografi dhe video e shpërndarë nëse mund të keqpërdoret. Ajo që është më brengosëse ajo viktimë tërë jetën do të jetojë pa ditur se ku mund të përfundojnë fotografitë apo videot e saja. Vajzat në të shumtën e rasteve janë viktima”, vlerëson Suzana Pranjiq, zëdhënëse në MPB.
Një rast të ngjashëm si ky ishte edhe “Dhoma publike” në rrjetin sociale “Telegram” cili zbuloi se në grup ndahen fotografi dhe video të vajzave, në mesin e të cilave kishte edhe të mitura, ndërsa grupi ka pasur rreth 8.000 anëtarë, ndërkaq në të janë shpërndarë rreth 800 video dhe fotografi private. MPB kapi 6 persona të cilët kanë udhëhequr këtë grup ndërsa gjykata i dënoi me 3 vjet burg.