Koha për kryeministrin e parë shqiptarë. Me këto fjalë në zgjedhjet e fundit parlamentare BDI ftonte qytetarët të votojnë Naser Ziberin për kryeministër të parë shqiptarë. E pasi i njлjti nuk u zgjodh kryeministër, Kuvendi e caktoi atë për Avokat të popullit. Mirëpo nënkryetari i BDI-së Bujar Osmani, në Click Plus shprehet që në zgjedhjet nuk ishte i rëndësishëm emri i kandidatit, por të thyhet tabuja se posti i kryeministrit nuk duhet t’u takojë shqiptarëve.
“Konceptet janë me rëndësi, jo bartësit, jo njerëzit. Këtu dallojmë me teza.
Pse e keni marë Naser Ziberin? Pse keni shkuar me Naser Ziberin të thoni se është kandidati për kryeministër? Ju keni bërë fushatë me Ziberin, spo them që nuk është i arsyeshëm. Po foli për emra të përvetshëm.
Më lejoni ta demantoj. Si ishte titulli i fushatës? Kryeministër shqiptar apo kryeministër Naser Ziberi? Ishte kryeministri i parë shqiptarë. Ne konceptin e promovuam. Sikur që e promovuam konceptin se një nga tre do jetë shqiptarë dhe Talat Xhaferi u bë.
E kush ishte kandidati?
Dikush duhet të jetë kandidat!
Jo jo, kush ishte kandidati? Naser Ziberi!
Në fushatë ne promovuam konceptin. Bartës duhet të jetë dikush.”- tha Bujar Osmani – Ministër i Jashtëm.
Avokati i Popullit, Naser Ziberi, pajtohet që qëllimi ka qenë që të thyhet tabuja e postit të kryeministrit, por gjithashtu konsideron se nuk duhet të harrohet në atë fushatë ai post kishte emër dhe mbiemër.
“Nuk besoj që mund të ketë patur ndonjë tendencë që ta relativizon rolin tim në ato zgjedhje. Është fakt që ideja ka qenë që të thyhet një tabu se posti i kryeministrit është i rezervuar vetëm për pjesëtarë të etnitetit maqedonas. Siç është e vërtetë poashtu se kandidati për kryeministër i BDI-së ka patur emër dhe mbiemër. Naser Ziberi.”- tha Naser Ziberi – Avokat i Popullit.
Ziberi për TV21 zbulon se para dhjetë ditësh ka realizuar takim me kreun e BDI-së Ali Ahmeti, ku kanë diskutuar nëse Ziberi duhet të emërohet kryeministër teknik. Sipas Ziberit, ai nuk duhet ta braktisë pozitën avokat populli dhe ka hedhur poshtë një mundësi të tillë.
“Unë para dhjetë ditësh kisha takim me kryetarin Ahmeti në të cilën duhej ta diskutojmë çështjen e kandidatit për kryeministër. Ai i shtroi të gjitha opsionet e mundshme, konstelacionin e raporteve në skenën politike ndërsa unë shpreha pikëpamjet e mia rreth çështjes së angazhimit tim eventual. Thash se nuk është mirë që në tre muajt e fundit të braktiset ky institucion dhe pastaj të mos dihet si do të zhvillojë aktivitetin e mëtutjeshëm, për çka z.Ahmeti ishte plotësisht dakord.”- pohoi Naser Ziberi – Avokat i Popullit.
Përndryshe posti i kryeministrit shqiptar në 100 ditët e fundit është pjesë e marrëveshjes nga koalicioni qeverisës mes dy partive në pushtet, LSDM dhe BDI.
