Protokolli është një procesverbal fatkeq me shumë defekte, i cili nuk është as juridikisht i rregullt dhe për këtë arsye ngrita iniciativë para Gjykatës Kushtetuese për rishqyrtimin e tij. Këtë në emisionin Click Plus në TV21 e theksoi ish-kryetarja e partisë Rilindja Demokratike e Maqedonisë, Liljana Popovska, e cila vitin e kaluar e kontestoi para Gjykatës Kushtetuese Protokollin e dytë me Bullgarinë. Sipas saj, asgjë nuk do të arrihet me futjen e bullgarëve si pakicë në Kushtetutën tonë, por vetëm do të shkaktohet edhe më shumë dëm në një kohë kur shteti bullgar nuk e njeh identitetin maqedonas.
“Protokolli për mua është bllokuesi kryesor për fillimin e eurointegrimeve dhe për zhvillimin dhe përfundimin normal të tyre. Ai është një pjesë me defekt në paketën eurointegruese dhe është krejtësisht e pasaktë kur dikush pretendon se mjafton vetëm t’i fusim bullgarët si pakicë në Kushtetutën tonë dhe se me këtë do të fillojnë eurointegrimet”, tha Popovska.
Sipas Rabi Sedrakut, drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare Strategjike dhe të Sigurisë, ekipit që i ka përgatitur marrëveshjet me Greqinë dhe Bullgarinë i ka munguar përvoja praktike dhe politike për zgjidhjen e çështjeve të ndjeshme të lidhura me identitetin dhe shtetësinë. Ai thekson gjithashtu se pjesë të caktuara të marrëveshjes me Bullgarinë janë të gabuara.
“Ku ishte gabimi, gabimi është kur filluam ta përmendim fjalën “histori e përbashkët”, ne nuk kemi asgjë të përbashkët me historinë me Bullgarinë. Dhe tani në Marrëveshjen që e kanë bërë në vitin 2017, nuk më kujtohet saktë data ku shkruan “histori e përbashkët”. Histori të përbashkët me Bullgarinë nuk ka. Në bazë të çfarë?”, tha Sedrak
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se harmonizimi i rregullativës evropiane me atë të Maqeodnisë është në nivel të lartë, por se zbatimi i tyre është shumë i dobët.
