Politikë me ajrin e ndotur! Shkupi edhe sot ndër qytetet më të ndotura

TË FUNDIT

Edhe këtë mëngjes Shkupi u zgjua si një ndër 10 qytetet më të ndotura në botë, sipas faqes “IQ-Air” që mat ndotjen. Para kryeqytetit tonë janë disa qytete të Indisë, Kinës, Bangladeshit dhe Bosnjës.

Indeksi i ndotjes ishte mbi 170 ndërsa arriti deri në 195, gjë që tregon se ajri është toksik. Më i ndotur është në Qendër dhe Lisiçe, ku stacionet matëse tregojnë mbi 200 grimca PM10 për metër kub.

Kjo gjendje po i shërben edhe politikës për akuza të ndërsjella.

Nga LSDM-ja, që është opozitë në Qytetin e Shkupit, tash flasin sikur në kohën e Shilegovit Shkupi të ketë qenë qyteti më i pastër në botë, por në fakt edhe atëherë, si çdo dimër, gjendja ishte e njëjtë!

Koordinatorja e grupit të këshilltarëve të LSDM-së, Lubica Jançeva, sot doli dhe kërkoi që thirret seancë urgjente, ku do t’i propozonin këto masa:

Rritje e menjëhershme e numrit të autobusëve në të gjitha linjat në transportin publik të qytetit. Futja e transportit falas për të gjithë qytetarët në Shkup. Ndryshim urgjent i shpërndarjes së mjeteve në Buxhetin e Qytetit të Shkupit, për rritjen e mjeteve për luftimin e ndotjes. Ndihmë financiare për shkollat ​​për përshtatjen e sistemit të ngrohjes me energjitë ekologjike. Përgatitja e planit të veprimit për pastrimin e të gjitha deponive në Shkup. Pastrimi i rrugëve dhe hapësirave publike duke përdorur cisterna. Veprimi intensiv i pakushtëzuar i inspektorëve në kryerjen e detyrës”, tha Lubica Jançeva, koordinatore e grupit të këshilltarëve të LSDM-së në Qytetin e Shkupit .

Nga kabineti i kryetares së Shkupit, Danella Arsovska, pa ndonjë reagim.

Me kundërpërgjigje ndaj LSDM-së doli VMRO-DPMNE-ja, anëtari i së cilës Kryeson me Këshillin e Qytetit. Sipas tyre, nuk ka nevojë për seancë të jashtëzakonshme, sepse siç thonë, Kovaçevski dhe Arsovska në takimet e fsheta, përveç tenderëve, mund të merren vesh edhe për ajër më të pastër për qytetarët.

Edhe në LSD duhet ta kenë kuptuar deri më tani se kryetari i tyre është në koalicion me Arsovskën dhe rezultat i kësaj është drejtori i NQP-së, kuadër i LSD-së, ndërmarrje me funksionim efikas të së cilës mund të zvogëlohet ndotja. Është e qartë se në LSD nuk e di kush çfarë bën, kështu që Jançeva ose po i bën obstruksione Kovaçevskit, ose ai po i bën obstruksione tërë LSD-së”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Nga ana tjetër, përveç Shkupit, gjendja me ajrin më mirë nuk qëndron as në qytete të tjera të Maqedonisë. Thuajse çdo ditë rekomandimet dhe masat e alarmit hyjnë në fuqi dhe shfuqizohen për një fije peri, sapo matjet tregojnë ulje nën kufirin e paraparë. Kështu Ministria e Mjedisit Jetësor sot informoi se në Manastir dhe Strumicë pushojnë së zbatuari masat për tejkalimin e pragut të alarmit për ndotjen e ajrit sepse përqendrimet mesatare ditore të grimcave të pezulluara PM10 janë nën pragun e përcaktuar të alarmit.