Partitë politike në vend vazhdojnë që asnjë institucion të pavarur të mos e lënë jashtë ndikimeve të politikës. Një gjë e tillë po ndodh edhe me institucionin e Avokatit të Popullit, ku tash e një vit Kuvendi nuk po arrin ta zgjedh Ombudspersonin, duke dështuar dy herë si Kuvend. Në institucionin e Avokatit të Popullit po e quajnë këtë si shkelje të kushtetutës dhe ligjit. Derisa, përfaqësuesit e partive opozitare akuzojnë koalicionin qeverisës për këtë dështim.
Ndërsa, monitoruesit e punës së Kuvendit thonë se partitë ia kanë humbur kredibilitetit dhe rëndësinë institucionit të Avokatit të Popullit duke i injoruar gjithmonë rekomandimet e tij.
Ushtruesi i detyrës së Avokatit të Popullit Sami Kurteshi thotë për KosovaPress se ai nuk ka asnjë kompetencë rreth kësaj çështje, derisa, Kuvendi po e shkel Kushtetutën dhe Ligjin.
“Është shkel Kushtetuta dhe ligji, Kuvendi ka për obligim ta respektoj Kushtetutën dhe ligjin me zgjedh avokatin e ri sa më shpejt, aq më mirë”, tha Kurteshi.
Ndërsa, opozita po e akuzon koalicionin qeverisës se po mundohet t’i zaptoj të gjitha institucionet e pavarura me njerëz të tyre, e njëjtë po ndodh edhe me Avokatin e Popullit. Shefja e grupit parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami-Dushica tha për KosovaPress se koalicioni qeverisës po bënë pazare edhe institucionin e Avokatit të Popullit.
Por, se partitë në koalicion po mundohen ta zgjedhin njeriun e vet si Avokat të Popullit, e mohon deputetja e LDK-së, njëherit kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Peticione dhe Persona të Pagjetur, Lirie Kajtazi, e cila thotë për KosovaPress se nuk ka pasur pazare mes partnerëve të koalicionit, por duhet një sensibilizim me i madh i grupeve parlamentare.
Po unë mendoj se nuk ka pasur ndonjë pazar dhe ndoshta nuk është sensibilizuar sa duhet Kuvendi, kështu që duhet pak më tepër t’i thërras shefat e grupeve jo për t’iu kërkuar emra të partive por do t’iu flasim pak më shumë për peshën e Avokatit të Popullit dhe kjo do të ndikoj që ata të jenë me aktiv që t’i bindi deputetët e vet që po them konform ligjit që precizohet se çfarë i duhet një personi që të jetë avokat një pozitë mjaftë e rëndësishme në shoqëri dhe të ketë rezultat”, theksoi Kajtazi.
Edhe monitoruesit e punës së Kuvendit theksojnë se politika ia ka humbur rëndësinë institucionit të Avokatit të Popullit, por mos zgjedhja e Avokatit të Popullit nga Kuvendi është edhe si pasojë e tendencës së partive politike për të ndikuar në të gjitha institucionet e pavarura.
Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë për KosovaPress se politika akoma s’e ka kuptuar që Agjencitë e pavarura, jo veç në bazë të emrit duhet të jenë të pavarura, por edhe në kuptimin e plotë të fjalës në funksionalitetin e tyre.
“Përveç ndikimit të politikës, unë mendoj që është edhe një faktor tjetër. Njerëzit nuk po konkurrojnë për pozitën e Avokatit të Popullit dhe ndoshta për shkak se ky institucion, ose tradita e këtij institucioni ka dëshmuar se nuk respektohet. Ky institucion ka pasur reputacionin vetëm sa kanë qenë ndërkombëtarët në Kosovë. Në momentin kur gjithçka ndërkombëtare kaloj në dorë të vendorëve rekomandimet e Avokatit të Popullit po thuaj nuk merreshin parasysh asnjëherë ose injoroheshin në maksimum. Tash njerëzit nuk provojnë as të konkurrojnë, dhe të them të drejtën lista e njerëzve që në fund doli në votim në Kuvend nuk ishte inkurajuese. Dy nga ta ishin me të kaluar politike që në zgjedhjet e fundit kanë konkurruar, ndërkohë që ligji për avokatin dhe Kushtetuta thonë që avokati duhet të jetë i pavarur dhe anëtarë i asnjë partie politike”, tha Selmanaj.
Ai shton se duhet patjetër që të bëhet amendamentimi i ligjit për Avokatin e Popullit dhe tek neni ku flet për konkurrimin e kandidatëve, të specifikohet qartë që kandidatët nuk duhet të jenë të përfshirë në politikë apo aktivitete politike së paku në tri vitet e ardhshme. Sipas Selmanajt, siç është aktualisht secili anëtarë i ndonjë prej partive mund të jap dorëheqje dhe të nesërmen të kandidojë për Avokat të Popullit.
Në mars të vitit të kaluar, kuvendi nuk kishte arritur të zgjedhje Avokatin e Popullit, ku në garë ishin tre kandidatë, Adrijana Hoxhic, Hilmi Jashari dhe Xhyljeta Mushkolaj. Më pas u zhvilluan zgjedhjet dhe kriza politike, derisa në fillim të këtij viti u shpall konkursi për të dytën herë, por që përsëri Kuvendi dështoi të zgjedh Avokatin e Popullit.
Në konkursin e dytë ishin katër kandidatë, Suzana Novobërdaliu, Mazllum Baraliu, Veton Vula dhe Shqipe Ibraj-Mala. Më pas Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Peticione dhe Persona të Pagjetur ka shpallur konkursin për herë të tretë për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
