Politika e 2025-ës në Maqedoninë e Veriut! Retrospektivë nga zhvillimet e vitit që lamë pas

TË FUNDIT

Muajt e parë të vitit 2025! Gjithçka dukej stabile në koalicionin VLEN.
Por, turbulencat politike në partitë shqiptare në pushtet nisën që në pranverë me të nisur bisedimet për kandidaturat në zgjedhjet lokale.


Ishte Arben Taravari i cili braktisi koalicionin, me preteskt se kërkon lista te posaçme për këshilltarë.


Në maj, ish-kandidati për president i VLEN-it, jo vetëm që braktisi koalicioni me të cilin erdhi në pushtet, por u largua nga qeveria. ASH-ja e Taravarit ende pa i mbushur një vit në këtë qeveri, shkoi në opozitë.

Kryeministri Mickoski paralajmëron një javë me ndryshime të mëdha në Qeveri. Ai deklaroi se në ditët në vijim publiku do të njoftohet me ndryshimet që do të bëhen në disa dikastere të ekzekutivit. Mickoski tha se 5 muaj para fushatës zgjedhore ka ardhur koha të definohen 2 blloqe në taboret politike në vend.

Ato ditë po zhvilloheshin bisedime intensive për riformatimin e Qeverisë, njoftoi Zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti. Ai tha se po vijojnë bisedimet për ndryshimet në ekzekutiv pas largimit të Taravarit që pozitat që i kanë takuar VLEN-it pavarësisht a ka qenë hise e ASH-së do të mbeten për VLEN-in. Ai iu bëri thirrje strukturave të ASH-së të vazhdojnë të mbeten në pushtet dhe t’i bashkëngjiten partisë VLEN.

Kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami tha se të vetmit të padëshiruar në VLEN do të jenë ata që do të bashkëpunojnë me BDI-në e Ali Ahmetit, duke aluduar në strukturat e Taravarit. Ai tha se do të ketë funksionarë të ASH-së që do mbeten në VLEN, përkatësisht në pozitat e tyre në pushtet.

Për disa javë mbetën jashtë funksionit disa pozita të larta në pushtetin qendror. Por, nga Koalicioni VLEN pozitat që mbeten të lira nga strukturat e Taravarit, u zëvendësuan me gjysmën e ASH-së së mbetur në pushtet, përfaqësues i të cilëve u bë zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai.

Krerët e VLEN-it thanë se aktualisht kanë dy deputetë më shumë dhe kanë arritur në pozicione më të mira sesa para daljes së Arben Taravarit nga ky partneritet qeverisës. Ata theksuan se tani janë definuar dy blloqe politike dhe në taborin shqiptar dhe se po përgatiten për zgjedhjet lokale.

“Taravari është kontradiktor me veten dhe në skenën politike vetëm ka shkatërruar”, tha Zijadin Sela. Ai paralajmëron Frontin Evropian që të ketë kujdes nëse Taravari do të pretendoj t’i bashkohet atij koalicioni në zgjedhjet lokale. Sela tha para gazetarëve që Taravari gjithmonë përpiqet të përfitoj nga të gjithë, duke satirizuar me shembull si ai pretendon për të garuar në lokalet.

Taravari iu bashkua partive opozitare të kryesuara nga BDI. Në koalicionin e ri nga Fronti Evropian të shndërruar në AKI, dhe zgjedhjet komunale i kthyen në një matje forcash politike.

Në zgjedhjet lokale të 19 tetorit, përveç Çairit përballje të forta në bllokun politik shqiptarë pati edhe për Tetovën ku rikandidimin e Bilall Kasamit e sfidoi njëri nga nënkryetarët e BDI-së, Bajram Rexhepi. Poashtu, ASH-ja e Taravarit nën obrellën e AKI-së kandidoi edhe për Vrapçishtin, Tearcën dhe Sarajin.

Kandidati i AKI-së për komunën e Çairit, Bujar Osmani në ditën e pavarësisë së shtetit përcolli një mesazh urimi me retrospektivë nga diplomacia ndërkombëtare. Osmani iu bëri thirrje qytetarëve që në këtë ditë feste të unifikohen pa dallim etniteti në mënyrë që të zhvillohet edhe e ardhmja e shtetit. Sipas tij, detyra e kësaj gjenerate politikanësh është që të forcohet barazia, drejtësia dhe paqja e fituar përmes Marrëveshjes kornizë të Ohrit dhe përmes anëtarësimit në NATO.

Sikurse nga radhët e AKI ashtu edh edha VLEN që nuk pati asnjë kandidate femër për kryetare komune.


Sipas ligjit, në listat për këshilltar komunal dhe në listat për deputetë çdo i treti kandidat duhet të jetë i gjinisë femërore, ndërsa në ekzekutiv dhe në kandidaturat për kryetar komunash nuk ka rregullim ligjor.

Më 28 shtator nisi fushata njëzetditore për zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen më 19 tetor. Partitë politike dhe koalicionet kishin filluar aktivitetet e tyre zyrtare zgjedhore.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në konventën promovuese të AKI-së, tha se kundërshtarët tanë nuk respektuan legjitimitetin e fituar të shqiptarëve, madje duke cenuar marrëveshjen paqësore të Ohrit, duke vënë në abrogim ligjin e gjuhës shqipe, duke hequr balancuesin…

Një ditë pas Konventës së AKI-së në hapjen e fushatës parazgjedhore, sekretari i përgjithshëm i BDI-së Faton Ahmeti tha se lideri i tyre i quajti qenë zagarë ata që janë përkulur në shërbim të partisë maqedonase në pushtet dhe jo të gjithë shqiptarët. Ahmeti tha se me shqiponja iu janë referuar shqiptarëve, duke folur në mënyrë figurative që shqiponjat nuk kapen me qenë zagarë. Ai bëri edhe paralelen se kur kanë qenë në bashkë qeverisje me VMRO DPMNE-në ishin me legjitimitet nga votat e popullit.

Përderisa partitë politike e kandidatët e pavarur po shfrytëzonin orët e fundit të fushatës parazgjedhore nga ana tjetër KSHZ shpërndante materialet zgjedhore në të gjitha 80 Komisionet Komunale zgjedhore dhe në Qytetin e Shkupit. Një total prej 4,613,438 fletëvotimesh u shtypën për zgjedhjen e kryetarëve të komunave dhe të këshilltarëve. Fletëvotimi më i gjatë është 50 cm i gjatë dhe të gjitha janë prodhuar me standarde të larta sigurie dhe elementë mbrojtës, me qëllim sigurimin e fshehtësisë së votës. Lista e vetme e votuesve përfshin 1,832,415 votues, të cilët do të votojnë në 3,480 qendra votimi. Nga këto, gjashtë nuk do të jenë të hapura, pasi nuk ka banorë me të drejtë vote në ato komuna.

Procesi i votimit më 19 tetor shkoi mirë. Dalja ishte pak mbi pragun ligjor, ndërsa rezultatet dolën që
VMRO-DPMNE triumfoi me 55 vende për kryetar komunash në zgjedhjet lokale – por në Shkup, Orce Gjorgievski u bë kryetari i kryeqytetit me mbështetjen më të ulët në 2 dekadat e fundit. Koalicioni VLEN, partneri qeveritar i Mickoskit, e tejkaloi BDI-në në këto zgjedhje me 9 vende për kryetar krahasuar me 5 të Koalicionit AKI të udhëhequr nga Ali Ahmeti. Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale u rrumbullakos me 21 vende për kryetar komunash për VMRO DPMNE dhe Qytetin e Shkupit, Koalicionin VLEN me 4, partia e LSDM me vetëm 3 vende, Unionin i Romëve me 1 vend dhe partinë ZNAM – me 1 kryetar komune.

Kryeministri Mickoski tha se edhe pas zgjedhjeve lokale, koalicioni në pushtet mbetet stabil.
Nga blloku shqiptarë opozitar kritikuan koalicionin VLEN që ndihmoi VMRO të fitoj në disa komuna me shumicë shqiptare, sikurse pas shumë vitesh në Kërçovë. Në katër komuna ku nuk u arrit censusi. Zgjedhjet do të përsëriten në Komunë e Gostivarit, Vrapçishtit, Qendër Zhupës dhe Mavrovë-Rostushes.
Në Gostivar, votuesit do të kenë mundësinë të zgjedhin midis Nevzat Bejtës, kandidat i koalicionit VLEN, dhe kandidatit të pavarur Valbon Limani i mbështetur nga AKI. Në Vrapçisht, gara për postin e kryetarit do të zhvillohet ndërmjet Isen Shabani, kandidat i AKI, dhe të Zulhajrat Demiri, i mbështetur nga VLEN.

Në Qendër Zhupa do të ketë zgjedhje me një kandidat të vetëm. Atje, Arijan Ibrahim nga Partia Demokratike e Turqve kandidon për kryetar të komunës. Ndërsa në Mavrovë dhe Rostushë, votuesit do të vendosin midis Oner Jakuposki, nga VMRO-DPMNE, dhe Anes Ahmeti, kandidat nga LSDM. Procesi zgjedhor përsëritet më 11 Janar 2026, pasi sipas Komisioni Shtetëror të Zgjedhjeve, në raundin e parë të mbajtur më 19 tetor, asnjë nga komunat nuk përmbushi daljen për të paktën 1/3, ose 33.33%, të votuesve të regjistruar.

Në fund të vitit, Kuvendi votoi për dy ministrat e rinj! Me propozim të Kryeministrit Mickoski, deputeti Bekim Sali hoqi dorë nga mandati i tij nga grupi parlamentar i VLEN-it për të kaluar në ekzekutiv si Ministër i Çështjeve Evropiane në vend të Ministrit Orhan Murtezanit, i cili u shkarkua po në të njëjtën seancë të Kuvendit.


Ndërkohë Muhamet Hoxha u emërua Ministër i Ekologjisë në vend të Izet Mexhitit, i cili tashmë është kryetar i Çairit.