Polisa e sigurimit për banesë kushton rreth 50 euro në vit, pengesa është mungesa e informacionit dhe edukimit financiar

TË FUNDIT

Qytetarët nuk i sigurojnë shtëpitë e tyre sepse mendojnë se është e shtrenjtë. Por një policë sigurimi për një banesë prej 50–60 metrash katrorë kushton 50 euro në vit, që është tetë herë më e lirë se polisat “kasko” për makina, të cilat kushtojnë mesatarisht 400 euro. Në emisionin “Biznes 21”, Mitko Teoharov – këshilltar për sigurime dhe Goran Gjorgjev – ndërmjetës sigurimesh, theksuan se mungesa e informacionit dhe edukimit financiar janë arsyet kryesore pse qytetarët nuk investojnë.

 “Ja, po marrim një polisë ‘kasko’ sigurimi për automjetin, e cila kushton mesatarisht rreth 400 euro, ndërsa sigurimi i shtëpisë kushton rreth 50 euro ose më shumë. Pra, shohim se është rreth tetë herë më i shtrenjtë produkti për makinën, dhe megjithatë kemi më shumë kontrata të nënshkruara për atë produkt sesa për sigurimin e shtëpisë”, tha Mitko Teoharov, këshilltar për sigurime.

 “Që nga lindja e deri në sistemin arsimor, ne pothuajse nuk kemi asnjë lëndë që lidhet me financat. Që të vegjël nuk i kuptojmë financat dhe nuk dimë si të menaxhojmë me to. Kur arrijmë në pikën ku fillojmë të fitojmë dhe të menaxhojmë para, nuk dimë çfarë të bëjmë me to. Prandaj shumica e studimeve tregojnë se qytetarët e Maqedonisë më shumë marrin borxhe sesa mendojnë për kursime”, shtoi Goran Gjorgjev, ndërmjetës sigurimesh.

Sipas tyre, standardi i ulët i jetesës është një nga arsyet, por jo ajo kryesorja, kur flitet për kursim dhe investim. Ata theksojnë se duhet të punohet në ngritjen e vetëdijes dhe edukimit financiar.

 “Arsyeja e dytë mund të jetë standardi i ulët. Por fakti që standardi është më i ulët nuk është pengesë absolute – secili mund të ndajë mjete në mënyra të ndryshme për kursim ose investim. Nëse do të kishim një mënyrë të të menduarit që së pari investojmë dhe pastaj shpenzojmë, situata në Maqedoni do të ishte shumë ndryshe”, u shpreh Goran Gjorgjev, ndërmjetës sigurimesh.

 “Nëse pyesim dikë, pa i përmendur sigurimet, çfarë është më e mundshme – që t’ia gërvishtin makinën në parking apo t’i shpërthejë një tub në shtëpi nga ngrohja qendrore dhe t’i dëmtohet parketi – besoj se 9 nga 10 do të thonë ‘të më gërvishtin makinën”, deklaroi tha Mitko Teoharov, këshilltar për sigurime.

Të dhënat tregojnë se tregu i sigurimeve në vend po rritet me ritëm të shpejtë. Në gjysmën e parë të këtij viti ai arriti vlerën mbi 155 milionë euro, që është një rritje prej mbi 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në vitin 2024, tregu i sigurimeve kaloi 250 milionë euro. Dominon sigurimi jo-jetë, me 83% të tregut të përgjithshëm, dhe pjesën më të madhe e zë sigurimi i detyrueshëm i përgjegjësisë nga automjetet.