Policia Financiare me hetime të reja në Lotari, EMV dhe shëndetësi! Ivanovski: S’jemi të kënaqur me punën e Prokurorisë, duhet të ketë ndryshime!

TË FUNDIT

“Nuk jemi të kënaqur me punën e Prokurorisë Publike, duhet të ketë ndryshime” – tha në emisionin Biznes21 drejtori i Policisë Financiare, Slobodan Ivanovski. Ai konfirmoi se midis 80 lëndëve që mbahen në sirtarët e prokurorëve, për të cilat fliste kryeministri Micskoski, ka edhe nga ato që janë përgatitur nga institucioni që ai drejton.

“Në këtë periudhë prej 14 muajsh, flasim për shumë pak kallëzime penale të proceduara dhe shumë pak aktakuza të ngritura sipas informatave të mia. Bazuar në këtë, mund të them se duhet të ketë ndryshime në Prokurori, sepse kallëzimet penale të paproceduara do të thonë që ne kemi punuar kot. Nëse kallëzimet tona penale nuk procedohen dhe nuk ka aktakuza, atëherë nuk jemi të kënaqur me atë punë, dhe është e natyrshme që duhet të ketë ndryshime”, tha Slobodan Ivanovski.

Ivanovski tha se ka edhe hetime të reja në Lotari dhe EMV. Përveç hetimit në spitalin e Prilepit, që është në fazë të avancuar, njoftoi se së shpejti do të publikohen edhe raste të tjera nga sektori shëndetësor.

“Në momentin aktual ka edhe një hetim tjetër për Lotarinë. Gjithashtu, edhe Lotaria, ashtu si TEC, është një institucion ku më parë janë bërë mjaft vepra penale”.
Gazetarja: Dhe tani që jemi te Lotaria dhe EMV-ja, a mund të na zbuloni për çfarë dyshimesh bëhet fjalë, për çfarë shume parash?
Ivanovski: Edhe vetë ende nuk e dimë, sepse jemi në fazë fillestare të procedurës.
Gazetarja: Dëmi është i madh apo i vogël?
Ivanovski: Për dëm me përmasa të mëdha.

Ivanovski informoi se janë në proces të vendosjes së pajisjeve teknike për përgjime dhe ndjekje, në bashkëpunim me Shërbimin Qeveritar për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, ASK-në dhe OTA-n, me qëllim që Policia Financiare të mund të zbatojë masa të posaçme hetimore.

Sa i përket ligjit për konfiskimin e pasurisë në procedurë civile, ai tha se po veprojnë sipas pesë iniciativave të dërguara nga Prokuroria. Një nga këto iniciativa, që pritet të publikohet së shpejti, ka të bëjë me një emër të njohur nga sfera gjyqësore. Ai i inkurajoi qytetarët të raportojnë keqpërdorime dhe shtoi se shumë shpejt do të ketë kallëzime penale edhe për funksionarë aktualë.