Policia e Kosovës me detaje nga arrestimi i Molliqajt: Kemi lënë ftesë për paraqitje vullnetari, nuk e përfilli

TË FUNDIT

Policia e Kosovës ka dalë me kumtesë për arrestimin e kreut të PSD-së, Dardan Molliqajt dhe aktivistit Adem Megjuani, përcjell TV21.

Siç njoftojnë për procesin e arrestimit të Molliqajt, thonë se e kanë kërkuar në fillim në objektin e banimit, por i njëjti nuk është gjetur aty. I kanë lënë më pas letër njoftimi që të paraqitet vetë në polici, sërish nuk e ka përfillur.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës, respektivisht Njësia e Hetimeve të Përgjithshme sot ka realizuar dy arrestime të natyrës procesore.

Arrestimi i parë u krye në orët e paradites kur me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit u arrestua dhe u dërgua në mbajtje prej 48 orësh i dyshuari;

A. M, mashkull 43 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, nën dyshimin e arsyeshëm se i njëjti është përfshirë në rastin e sulmit ndaj personit zyrtar të ndodhur në protestën e datës 29.01.2022.

Arrestimi i dytë, u krye në orët e mbrëmjes, në dalje të Prishtinës me ç ‘rast, policia arrestoi të dyshuarin;

D. M, mashkull 37 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, për të cilin po ashtu ekziston dyshimi i arsyeshëm se i njëjti është përfshirë në rastin e sulmit ndaj personit zyrtar të ndodhur në protestën e datës 29.01.2022.

Ndërkohë që policia e kishte kërkuar në adresat e banimit dhe nuk e kishte hasur, të njëjtit i kishte lënë edhe një ftesë për paraqitje vullnetare por i dyshuari nuk e kishte përfillur.

Pas arrestimit i dyshuari është dërguar në stacionin policor dhe si vijimësi e hapave të nevojshëm procedural, me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje prej 48 orësh.