Policia e Kosovës njoftoi se ka mbyllur për qarkullim pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.
Autoritetet e rendit kërkuan që qytetarët të përdorin për qarkullim pikëkalime të tjera.
Policia tha se kjo është një masë paraprake e sigurisë, pasi serbët lokalë bllokuan disa rrugë në veri, si shenjë pakënaqësie për arrestimin e një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës.
“Bllokimi i rrugëve ka ndodhur kryesisht në disa rrugë, përfshirë edhe rrugë nacionale të komunave të Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, duke cenuar dhe pamundësuar lirinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave”, tha Policia e Kosovës.
Autoritetet në Kosovë thanë se kanë arrestuar më 10 dhjetor ish-policin e Kosovës, Dejan Pantiq.
Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ish-polici serb ka organizuar “sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Ai shtoi se Pantiq akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm ndaj rendit kushtetues.
