Mbrojtja e Kadri Veselit ka kërkuar nga gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, që i mbrojturi i tyre të lirohet në arrest shtëpiak, me arsyetimin se drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka dhënë garanci të qartë.
Kjo është bërë e ditur nga shkresa e mbrojtjes që i është dorëzuar gjykatës e është publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në shkresën e mbrojtjes, ata pohojnë se për momentin ka dy ndryshime të qarta në rrethana që kanë lindur që nga vendimi i fundit i rishikimit të paraburgimit. Sipas tyre, të dyja ato ofrojnë një bazë të qartë për t’i dhënë fund paraburgimit të Veselit në Njësinë e Paraburgimit të Gjykatës Speciale dhe për ta kthyer atë në arrest shtëpie në kushtet strikte të propozuara nga Mbrojtja dhe të detajuara në Aneksin 2 nga Drejtori i Policisë.
“Së pari, Drejtori i Policisë tani ka dhënë një garanci të qartë, e cila drejtpërsëdrejti adreson dhe zbut rrezikun e vetëm të identifikuar nga gjyqtari i procedurës paraprake në vendimin e tij të mëparshëm: konkretisht se bisedat e pamonitoruara mes z. Veseli dhe familjes së tij dhe vizitorëve mund të pengojnë progresin e procedurave të gjykatave apo për shkak të rrezikut të kryerjes së së krimeve të mëtejshme”, thuhet në shkresën e mbrojtjes.
Sipas mbrojtjes, letra konfirmon se forcat policore të Kosovës janë më se të afta dhe të gatshme për të zbatuar çdo kusht apo urdhër të caktuar nga gjyqtari i procedurës paraprake për lirim të përkohshëm apo ndonjë çështje tjetër.
Sipas shkresës, angazhimi i detajuar i ndërmarrë nga Policia e Kosovës është një ndryshim i qartë i rrethanave dhe zbut drejtpërdrejtë rrezikun e identifikueshëm që gjyqtari i procedurës paraprake paraprakisht konstatoi se përbënte arresti shtëpiak.
Tutje, thuhet se mbrojtja pohon se qëllimi parandalues i paraburgimit të Veselit tani mund të arrihet qartë përmes mjeteve më pak kufizuese.
Në vijim thuhet se siç u përmend më lart, më 2 korrik 2021, gjyqtari i procedurës paraprake konstatoi se lirimi i përkohshëm do të zbuste rrezikun e arratisjes.
Por sipas mbrojtjes, duke pasur parasysh natyrën e përgjithësuar të përgjigjes së mëparshme nga Drejtori i Policisë, kushtet e propozuara dhe asnjë kusht tjetër të vendosur nga Gjyqtari i procedurës paraprake nuk mundi të zbusë nenin 41(6)(b)(ii) dhe (iii) të Ligjit.
“Gjykatësi i procedurës paraprake vuri në dukje veçanërisht rrezikun e bisedave të pamonitoruara ndërmjet z. Veseli dhe anëtarëve të familjes së tij dhe vizitorëve”, thuhet në këtë shkresë.
Sipas mbrojtjes, nga letra e Mehmetit dhe përkushtimi i tij për zbatimin e urdhrave të Gjykatës, është e qartë se forcat e tij policore do të zbusin plotësisht çdo rrezik të paraqitur nga Lirimi i Përkohshëm.
Shkresën e plotë të mbrojtjes mund ta gjeni KËTU.
