Policia bastis pronat e Dejan Jovanovskit! Ekspertët kërkojnë të rihapen edhe lëndët e tragjedive të mëparshme

TË FUNDIT

Zgjerohen hetimet për tragjedinë që ndodhi në diskotekën “Pulse” në Koçan. Policia ka bërë kontrolle në kafenenë “Klasik”, të pronarit Dejan Jovanov, në pronësi të të cili është edhe objekti ku ra zjarri më 16 mars, ku jetën e humbën 59 të rinj dhe rreth 200 u lënduan. Nga MPB thanë se po ashtu kanë kontrolluar automjetin e tij ‘Insignia’ si dhe kanë marrë në pyetje edhe familjarë të Jovanovit, i cili dyshohet se ka menaxhuar ilegalisht diskotekën. Hetuesit policorë kanë kryer bastisje dhe sekuestruar gjëra edhe në zyrat e Inspektoratit të tregut në Koçan.

Për ekspertët e sigurisë përgjegjësia duhet të nisë të kërkohet që nga dita që ka rënë zjarri. Ish-kryeshefi i SPB-së Shkup, tani në pension, Lubomir Gjurqevski, i pyetur se si po i sheh zhvillimet dhe hetimet për tragjedinë, si thirrje e kishte që të mos ketë ndjekje selektive, por po ashtu kërkoi që të rihapen hetimet edhe për tragjeditë tjera që kanë lënë shumë viktima në njerëz në këto 4 vitet e fundit.

Përndryshe, Prokuroria themelore e Koçanit dhe Prokuroria për Ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit po hetojnë si të dyshuar gjithsej 34 persona dhe tre kompani, për veprat penale për krime të rënda kundër sigurisë publike. Në paraburgim janë 24 persona.