Policia arrestoi 1 të dyshuar për “bombat në shkolla”/ Prokuroria: Nuk ka asnjë lidhje mes të arrestuarit dhe alarmeve për bomba

TË FUNDIT

Policia mbrëmë ka marrë në pyetje të riun Nikolla Nikollovski nën dyshimin për e-mailet e rrejshme të cilat alarmonin për bomba në shkollat e mesme të Shkupit, por më pas të njëjtin e ka liruar.

“Me personin është zhvilluar bisedë zyrtare, në koordinim me Prokurorinë Publike është bërë kontroll në shtëpi, janë marrë disa sende për ekspertizë dhe po ndërmerren masa për zbardhjen e rasti.”- thonë nga MPB-ja.

Nga Prokuroria me qëndrim se nuk ka asnjë lidhje mes të arrestuarit dhe alarmeve për bomba në shkollat e mesme.
“Gjatë natës së kaluar me instruksione të prokurorit publik janë kryer të gjitha veprimet e domosdoshme me qëllim që të mos ketë mbajtje shtesë të personit. Duke e pasur parasysh se ekspertizat e para nuk kanë treguar lidhshmëri të personit me mesazhe të dërguara, personi pas marrjes në pyetje është lënë i liri”- thonë nga Prokuroria.

Rezulton se i dyshuari nga policia është anëtari dhe aktivisti i platformës “conservative.mk”, të cilën kritikuan Ministrinë e Brendshme për arrestim të padrejtë.

“Paaftësia e Ministrisë së Brendshme dhe autoriteteve rezultoi me arrestimin e njerëzve të pafajshëm.”- shkruan Platforma Conserative.Mk

Reagime erdhën edhe nga opozitarja VMRO-DPMNE, nënkryetari i së cilës Timço Mucunski, tha se “Maqedonia e ka humbur plotësisht busullën”.

“Fakti që dikush ka lëshuar mesazh nga e-maili i pretenduar i Nikolovskit, i cili përmbante edhe numrin e tij të telefonit, është një tregues logjik se dikush ka tentuar ta kurdisë”- deklaroi Timco Mucunski, nënkryetar i VMRO DPMNE-së.

Nga Lëvizja Besa kërkojnë nga Qyteti i Shkupit dhe MASh që të jenë më serioz në punën e tyre në lidhje me paralajmërimet e fundit për bomba në shkolla.

“Përveç përhapjes së frikës dhe prishjes së procesit edukativo-arsimor, ky fenomen po dëshmon se MASh dhe qyteti i Shkupit nuk po ndërmarrin hapa konkrete për të rritur nivelin e sigurisë nëpër shkolla”- deklaroi Filiz Ndoci, anëtare e kryesisë qendrore “Besa”.

Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski, para disa ditësh deklaroi se e-mailet janë dërguar nga jashtë vendit dhe se kanë indicie serioze se si po zhvillohet i gjithë procesi dhe në atë pjesë po punohet realisht me përkushtim maksimal.