Përderisa policët e trafikut organizonin kolonat e makinave, kolegët e tyre protestonin për paga më të larta. Madje përkrahje patën edhe nga sindikalistët policorë të shteteve fqinje si nga Mali i Zi dhe nga Serbia.
Bllokuan udhëkryqin më të ngarkuar të trafikut në Shkup. Për gjysmë orë rreth 500 protestues të policisë në aksin para gjykatës civile dolën me parulla në duar dhe thirrje për rritje të pagave. Nga Sindikata e pavarur e policisë thonë se mijëra lëndë të policëve, të cilët kanë paditur MPB-në kanë ngelur në sirtar.
Ata kërkojnë që paga e disa policëve që është nën pagën minimale, të rritet aq sa ju takon me ligj.
“Në qytete të ndryshme të vendit gjykatat tregojnë se një nëpunësi policor duhet t’i paguhet rrogë më e lartë, kurse në Shkup thonë se e kemi të mjaftueshme këtë pagë që marrim, ashtu i bie! Pasi që, me këto aktvendime gjyqësore kolegët tanë kanë marrë rritje dhe është dëshmuar që paga e tyre është nën minimalen. Por, për fat të keq gjykatat në Shkup thonë se ato nuk ju takojnë. Këtu është shkaktuar një revolt i madh, pasi që nuk ka paga të harmonizuara për pozitat e njëjta të punës”, tha Martin Efremov, Kryetari i Sindikatës së pavarur të Policisë.
Ata kontestojnë vendimet gjyqësore të civiles dhe apelit në Shkup, duke bërë krahasime që për të njëjtat çështje policët në Gostivar dhe Manastir kanë fituar paditë kundër MPB-së për rritje të pagave që kanë.
Sipas kësaj sindikate paga e policëve përbëhet nga paga bazë, plus rritja, stazhi dhe shtesat në paga dhe me Ligjin për pagë minimale, paga bazë nuk mund të jetë më e ulët se minimalja në nivel vendi.
“Para godinave të drejtësisë, dua t’i porosis të gjithë gjykatësit ta ruajnë integritetin e vet dhe të gjyqësorit, duke gjykuar sipas ligjit dhe jo sipas porosive, të qëndrimeve të dikujt apo mendimeve juridike. Dua t’i drejtohem edhe qeverisë: rritni pagat e të gjithë policëve, të gjyqësorit, të pyjeve, të burgjeve, MPB, sepse në strukturat e sigurisë nuk kursehet, zotrote! Një polic i paguar mirë është më i motivuar për punë.”, theksoi Vladimir Litovski, Anëtar i Sindikatës së pavarur të Policisë .
Në Ministrinë e brendshme pagat kalkulohen sipas numrit të pikëve që i kanë, duke filluar nga 550 pikë e më lartë, ku vlera e koeficientit është 35,47 denarë dhe shumëzimi i tyre gjeneron pagën bazë. Sipas saj, mijëra policë marrin paga të ulëta bazë prej 19,500 denarëve, ndërsa paga minimale neto në vend është 24,379 denarë, e cila u rrit nga muaji mars, por jo edhe për këtë kategori të policëve thonë sindikalistët.
