Testimi ekstern nuk do të hiqet, përkundër propozim-ligjit të partisë opozitare LSDM në këtë drejtim. Deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe ata të LSDM-së ngelën në qëndrimet e tyre, me ç’rast njëra palë është për heqje të testimit, ndërsa tjetra për ndryshim të ligjit.
“Testimi ekstern është një projekt i dështuar. Prandaj, ne nuk kërkojmë që ai të hiqet me qëllim që të përmirësohet, por kërkojmë që ai të hiqet në tërësi, edhe në shkollat fillore edhe në ato të mesmet, sepse përmirësimi i testimit ekstern është vetëm përsosje e makinerisë së totalitarizmit, në mënyrë që më lehtë t’i grijë viktimat e veta“, vlerësoi Renata Deskovska, deputete e LSDM-së
Sipas partisë në pushtet, testimi ekstern nuk guxohet të anulohet, sepse me anë të tij prodhohen kuadro që janë konkurrues në botë. “LSDM ishte edhe kundër matematikës, në një kohë kur keni gjithë ato vende dhe kontinente që nxisin studimin e lëndës së matematikës. Ke vende si Kina, India, Malajzia, Indonezia, me të cilat nesër do të na duhet të konkurrojmë për investime. Edhe ju, por edhe ne, pajtohemi se konkurueshmëria jonë duhet të ndryshojë, mirëpo në të njëjtën kohë, nëse nevojitet të ndryshohet diçka, vallë për përfitime politike, do të themi se asgjë nuk do të ndryshohet”, u përgjigj Vlladimir Gjorçev, deputet i VMRO-DPMNE-së
Vitin e kaluar mësimor, nxënësit e shkollave të mesme protestuan kundër testimeve eksterne dhe e bojkotuan mësimin në gjysmëvjetorin e dytë. Nga Plenumi i shkollave të mesme, paradokohe reaguan ndaj fjalimit të kryeministrit Gruevski, të mbajtur më 8 shtator, i cili iu referua edhe Ligjit për Arsim të Mesëm si dhe testimit ekstern.
Aleksandra Smilevska
