Avokati Janakie Mitrovski thotë se dëshmia e vetme se deputeti Pavle Bogoevski ka porositur lëndë narkotike është vetë deklarata e deputetit, ku ai e pranon se zëri i tij dëgjohet në përgjim. Mitrovski deklaratën e quan të nxituar dhe fatkeqe, sepse sikur Bogoevski të mos e pranonte se çfarë ka porositur, ligjërisht nuk do të mund të dëshmohej se për çfarë bëhet fjalë.
“Kështu tani Prokuroria do të duhej të reagojë, thënë thjeshtë, e inkriminoi veten, dhe Prokuroria duhet të reagojë dhe vërtetojë nëse i njëjti ka kryer vepër penale sipas nenit 216, respektivisht bërjen të mundur përdorimin e narkotikëve, sepse siç e pranoi edhe vetë ai thotë se e ka marrë për një person të afërt. Në procedurë eventuale penale, që të jem realist nuk besoj se do të hapet, kjo do t’i konsiderohej si rrethanë lehtësuese, gjegjësisht se veprën eventuale penale e ka bërë për qëllime fisnike”, u shpreh Janaki Mitrovski, Avokat.
Kjo nënkupton se pohimi i deputetit Bogoevski përbën vepër të ndëshkuar me ligj. Neni 216 i Kodit Penal parashikon dënim nga 1 deri në 5 vjet për personin që nxit ose i mundëson një tjetri për të shijuar droga narkotike dhe prekusorë, ose i jep droga narkotike.
“Mbetet të shihet nëse Prokuroria Publike do të reagojë, megjithatë duhet të kihet në mendje se që përndjekja penale te procedohet, në mungesë të dëshmive të tjera, Pavle këtë do të duhej ta përsërisë edhe para Prokurorisë që e këshilloj fort të mos e bëjë këtë”, tha Janaki Mitrovski, Avokat.
U drejtuam tek Prokuroria Publike për t’i pyetur nëse do të ndërmarrin ndonjë procedurë për rastin në fjalë. Nga atje thonë se po presin njoftim nga Ministria për Punë të Brendshme në lidhje me denoncimin e deputeti Bogoevski në stacionin policor.
Nga Ministria për Punë të Brendshme me përgjigje të shkurtër. E vetmja gjë që tregojnë është se kanë ndërmarrë masat në kuadër të kompetencave të saj, që ka të bëjë me vërtetimin e fakteve.
Dy ditë më parë në rrjet u përhap një përgjim 40 sekondësh ku dëgjohet se si deputeti Pavle Bogoevski porosit lëndë narkotike. Ai vetë e pranoi se është zëri i tij dhe se ka porositur vaj kanabisi për një të afërm që ka nevojë, por jo kokainë siç shkruhet në videon e publikuar.
Përgatiti: Besir Arifi
