Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, konfirmon se në procesin e planifikimit për sistemin shëndetësor po diskutohen tre opsione për të ardhmen e Qendrës së re Klinike në Shkup. Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, ai theksoi se vendimi përfundimtar do të varet nga analiza profesionale e ekspertëve, ndërsa aspektet infrastrukturore dhe financiare do të jenë vendimtare. Sipas ministrit, një nga opsionet është rinovimi i Qendrës Klinike ekzistuese. Alternativa e dytë përfshin ndërtimin e një Qendre Klinike tërësisht të re në një lokacion të ri gjeografik, ndërsa opsioni i tretë është zhvendosja dhe ndërtimi i kompleksit të ri klinik në hapësirat e spitalit “8 Shtatori”.
“Në këtë moment po mendohet mes Qendrës Klinike ekzistuese – nga infrastruktura dhe mundësitë e tjera. Një nga opsionet është ndërtimi i një qendre klinike tërësisht të re në një pozicion gjeografik të ri. Dhe momenti i tretë është „8 Shtatori“, që do të thotë të ndërtohet kompleksi aty ku do të zhvendoset e gjithë Qendra Klinike si e tillë te „8 Shtatori“. Megjithatë, kjo është fazë shumë e hershme. Ekspertët në fund të ditës do të duhet të na thonë edhe nga këndvështrimi infrastrukturor, sa i përket fleksibilitetit dhe krijimit të proceseve të duhura që lidhen midis pjesës administrative, asaj klinike dhe pjesës akademike. E dini që Qendra Klinike është e lidhur ngushtë me fakultetin për shkak të asaj pjese të orientuar drejt kërkimit. Pra, jemi të kujdesshëm që kur të krijohet Qendra e re Klinike, të mos dëmtohet asnjë nga këto tre degë”, theksoi Azir Aliu – Ministër i Shëndetësisë.
Sa i përket trajtimit të pacienteve të onkologjisë, ministri bëri të ditur se brenda një deri në dy javë, shërbimet onkologjike do të funksionojnë edhe në spitalin “8 Shtatori”, ndërsa po punohet që ato të jenë së shpejti të disponueshme edhe në spitalin e Manastirit. Sipas tij, shërbimet po zgjerohen gradualisht edhe në Tetovë, ndërsa Shtipi mbetet ende në përgatitje.
“Po, të jem i sinqertë, për “8 Shtatorin” prisja që puna të ecte më shpejt. Administrativisht, nga ana jonë kishim inspektorë që shkuan dhe përgatitën raport, kishte kërkesë nga këndvështrimi infrastrukturor. Shpresoj që pas raportit të dytë të mund të hapet ambulanca te “8 Shtatori”. Pres që të jetë për një deri në dy javë. Nuk pres të zgjasë më shumë se aq. Gjithashtu po punohet edhe në Tetovë dhe në Shtip. Shtipi është më larg për terapitë onkologjike pasi ende nuk jemi të përgatitur. Ndërsa në Tetovë, gjithashtu, disa nga procedurat ofrohen atje. Tani kolegët së bashku me klinikën universitare po bisedojnë që të mund të zgjerohet ai spektër i shërbimeve shëndetësore nga onkologjia atje”, u shpreh Azir Aliu – Ministër i Shëndetësisë.
Ndërkohë, ministri informoi edhe për investimet që po realizohen me marrëveshjen me Mbretërinë e Bashkuar, përmes së cilës me 205 milionë euro po ndërtohen dhe rinovohen kapacitete spitalore në Shtip, Tetovë dhe Kërçovë. Në Kërçovë dhe Tetovë pritet të ndërtohen ndërtesa të reja, ndërsa në Shtip do të riorganizohen objektet ekzistuese dhe do të ndërtohen hapësira të reja për fakultetin.
