Prokuroria Publike Themelore punon mbi lëndën për deputetin Pavle Bogoevski, pasi është marrë lajmërim nga Stacioni Policor – Qendër ku është bërë denoncimi, thonë nga Prokuroria. Prej atje shtojnë se krahas incizimit të paligjshëm, po punohet edhe për identifikimin e aj-pi adresave prej të cilave janë publikuar incizimet, si dhe a ka pasur porositje të substancave narkotike dhe për kë ishin porositur.
“Pas pranimit të këtij njoftimi nga ana e prokurorit kompetent publik, menjëherë është bërë kërkesë për publikimin e të dhënave në Youtube që kanë të bëjnë me publikimet në profilin në fjalë, adresa Aj -Pi që janë shfrytëzuara për qasje dhe për hapjen e këtij profili, si dhe adresa Aj- Pi prej së cilës është krijuar profili. Njëkohësisht deri te MPB-ja është dorëzuar urdhër që të bëhen kontrolle për verifikimin e identitetit të taksistit i cili gjoja e ka incizuar bisedën, të bëhen kontrolle prej kujt është porositur droga narkotike dhe për cilin person është porositur e njëjta”, thonë nga Prokuroria Publike.
Nga MPB-ja nuk deshën të japin hollësira për hetimin, vetëm thanë se i kanë marrë udhëzimet nga Prokuroria dhe se punojnë për të zbuluar se kush ka incizuar. Bëjnë me dije se përmes mjeteve ndërkombëtare në bashkëpunim me Interpolin, do të zbulohet edhe pronari i profilit Ilija Gromovnik, në profilin e të cilin janë publikuar incizimet joligjore. Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Pavle Trajanov, thotë se MPB-ja ka mundësi të zbulojë se kush i ka publikuar videot. Sipas tij është pak e çuditshme që deri tani nuk e ka bërë këtë, sepse siç thotë, edhe paraprakisht në profilin e njëjtë ishin publikuar video ilegale.
“MPB-ja ka mundësi dhe përkrahje profesionale, mendoj se do të munden të zbulojnë, kuptohet, këto aktivitete janë të ndërlikuara por në bashkëpunim me Facebook, rrjetet e tjera sociale dhe me Interpolin e shteteve të caktuara ku do të zbulohet se publikohen këto gjëra në internet, në Youtube”, theksoi ish-ministri i Punëve të Brendshme, Pavle Trajanov.
Trajanovi thotë se procedura për Pavle Bogoevskin do të jetë nën pikëpyetje, sepse nuk mund të fillojë asnjë procedurë gjyqësore, pa u mbështetur në dëshmi materiale, kurse deklarata e Bogoevskit nuk mund të jetë bazë për ngritjen e aktakuzës.
“Nëse bëhet krahasim se çfarë ka bërë Pavle Bogoevski ndërsa çfarë kanë bërë ata që i amnistuam, që i hapën dyert e Kuvendit, e cenuan rendin kushtetues, shkaktuan dëm ndaj interesave shtetërorë kur u sulmuan deputetë, gazetarë, staf, tani ata janë falur dhe shëtisin gjithkund duke marrë biznese në shtet”, u shpreh Pavle Trajanov, ish-ministër u Punëve të Brendshme.
Dje edhe nënkryetarja e Kuvendit, Frosina Remenski i bëri thirrje Trajko Veljanoskit, i cili është një nga të dyshuarit për organizimin e ngjarjeve më 27 prill, të japë dorëheqje. Tentuam ta kontaktojmë ish-kryeparlamentarin, për ta pyetur a do të dorëhiqet, por ai nuk u përgjigj as telefonatave, e as sms-porosive tona.
Përgatiti: Svetllana Unkovska
