Katica Janeva mbetet në paraburgim.
Gjykata Penale miratoi kërkesën e Prokurorisë që ish-prokurores së speciales t’i vazhdohet masa e paraburgimit. Kjo nënkupton edhe 30 ditë shtesë paraburgim për Janevën.
Jo më larg se dje, avokatja e saj Irena Fërçkovska konfirmoi për TV21 se në Gjykatë ka dorëzuar kërkesë për ndërprerje të masës së paraburgimit.
Pala mbrojtëse kërkon që Janeva të mbrohet në liri, ndërsa kanë propozuar edhe pronë të patundshme si garanci.
Përgjigje presin deri të premten, kur edhe skadon 30-ditëshi i parë i paraburgimit të Janevës.
E ndërkohë vazhdojnë akuzat politike.
Deputetja e VMRO-DPMNE-së Liljana Zaturovska, pasi lexoi një listë të gjatë emrash, rikërkoi formimin e komisionit anketues për të vërtetuar shkeljet, keqpërdorimet dhe procedurat e punësimit në Prokurorinë Speciale.
“Prokuroria Publike Speciale ka qenë institucion në të cilin keni mundur të punësoheni në tre baza. E para, nëse jeni familjar ose i afërm i ndonjërit nga prokurorët. E dyta nëse jeni i afërm i ndonjë zyrtari të LSDM-së ose të merrni propozim partiak nga Lidhja Socialdemokrate dhe e treta nëse jeni fëmijë i ndonjë gjykatësi ose prokurori, i cili duhet të marrë shpërblim si i dëgjueshëm ndaj LSDM-së ose PPS-së”, deklaroi Liljana Zaturovska nga VMRO-DPMNE.
Kostadin Kostadinov nga LSDM kërkesën për themelimin e komisionit anketues e quan përpjekje e për të shpëtuar nga përgjegjësi për krimet e bëra por nuk do të ketë sukses në këtë.
“Në lidhje me këtë ekzistojnë komisioni antikorrupsion dhe revizioni shtetëror. PPS çdo 6 muaj dorëzonte raport deri në Kuvend për punën por VMRO-DPMNE nuk kontestonte asgjë rreth të njëjtit. I themi VMRO-DPMNE-së se ka shtet ligjor dhe do të ketë drejtësi”, tha Kostadin Kostadinov nga LSDM.
Dje opozitarët e VMRO-DPMNE-së propozuan në Kuvend formimin e një komisioni anketues i cili do të vërtetonte mënyrën se si ka punuar prokuroria Speciale, se si i ka harxhuar paratë dhe punën e përgjithshme materiale dhe financiare. VMRO-DPMNE po ashtu kërkoi që kryetari i këtij komisioni të jetë nga radhët e tyre, ndërsa përveç deputetëve, pjesë të jenë edhe përfaqësues të vendeve që kanë kontribuar për Specialen.
