Gjyqësia duhet të jetë e pavarur ashtu siç janë pushtetet e tjera në shtet. Ky ishte mesazhi që e dërguan Isamedin Limani dhe Aleksandar Kambovski, dy anëtarët e rinj të Këshillit Gjyqësor. Që të dy dhanë betimin solemn para kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi. Si Kambovski, ashtu edhe Limani, thonë se askush nuk duhet të përzihet në punën e pushtetit gjyqësor.
“Në përputhje me rregullat kushtetuese dhe ligjore, dihet se Këshilli Gjyqësor është organ i pavarur kushtetues i cili do të kujdeset që të sigurojë pavarësinë e gjyqësisë. Pushteti gjyqësor duhet të sigurojë kushte që ajo pavarësi më transparente dhe gjykatat të mund të punojnë në mënyrë më efikase”, tha Isamedin Limani, anëtar i Këshillit Gjyqësor .
“Gjithnjë kam besuar në pavarësi, transparencë, llogaridhënie dhe përgjegjësi, luftë kundër korrupsionit. Shpresoj që këto do të më bindin, dhe kështu do të reflektoj në këshill”, deklaroi Aleksandar Kambovski, anëtar i Këshillit Gjyqësor.
Të pyetur për paralajmërimet e mandatarit Hristijan Mickoski për shpërbërjen e tërësishme të Këshillit Gjyqësor, asnjëri prej tyre nuk dhanë përgjigje konkrete.
“Gjithnjë është mirë kur gjyqësori është i pavarur. Kjo është një nga pushtetet në shtet. Siç janë të pavarura pushtetet tjera, duhet edhe gjyqësia të jetë e pavarur dhe vet t’i zgjidhë problemet e veta”, u shpreh Kambovski.
“Ata kanë kompetenca nëse e ndryshojnë Kushtetutën, sepse dihet sipas rregullave kushtetuese, amendamentet që janë sjellë në vitin 2006 se Gjyqësia është pushtet i pavarur por ata kur munden ta ndryshojnë kushtetutën, mund të sjellin edhe reforma tjera të cilat mendojnë, pra Kuvendi si kushtetutë bërës”, u shpreh Limani.
Përndryshe gjykatësi suprem Isamedin Limani dhe gjykatësi nga Gjykata e Apelit në Manastir, Aleksandar Kambovski, u zgjodhën për anëtarë të Këshillit Gjyqësor më 6 qershor. Me përzgjedhjen e tyre, u plotësuan dy vendet e zbrazëta nga radhët e gjykatësve, pas dorëheqjeve një vit më parë të Mirjana Radevska-Stefkova dhe Zoran Gerasimovski, për shkak të shkarkimit të atëhershëm të kryetares së këshillit, Vesna Dameva.
