PLAÇKITET BANKA NLB NË BUTEL, GJENDET MAKINA ME TË CILËN KANË IKUR PLAÇKITËSIT

Policia ka rrethuar bankën NLB përballë Komunës së Çairit.

Persona të maskuar dhe të armatosur sot në mëngjes kanë hyrë dhe e kanë plaçkitur atë.

“Sot rreth orës 10 e 30 paradite në Shkup, në rrugën “Ferid Bajram” ka ndodhur plaçkitje në bankën NLB. Policia menjëherë ka dalë në terren dhe po e shqyrton rastin.  Thuhet se gjatë plaçkitjes janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri”, gazetare Almedina Ismajli

Plçakitësit pasi morën paratë, me makinën e tyre kanë ikur në drejtim të Butelit në rrugën që çon drejt varrezave. Ata janë ndalur në një vend e kanë djegur makinën e tipit Golf dhe kanë ikur në drejtim të panjohur.

TV21 zbuloi vendodhjen e makinës por policia nuk lejoi që të xhirohet nga afër.

Sipas dëshmitarëve okularë katër persona me maska të zeza, kanë hyrë në bankë dhe kanë shtënë me armë zjarri, por nga MPB thonë se nuk ka të lënduar.

“Më 15.04.2019 në orën 10.36 është denoncuar se ka pasur grabitje nga disa persona me armë zjarri në rr. Ferid Bajram, të cilët kanë marrë para. Njëri prej kryerësve e ka sulmuar fizikisht personin E.E. (26), i punësuar si sigurim në bankën. Nuk ka të lënduar. Menjëherë pas pranimit të denoncimit, janë ndërmarrë masa dhe aktivitete nga nëpunësit policorë. Këto janë informacionet e para”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Nga banka NLB  thonë se paratë e klientëve janë të sigurta për shkak se banka ka sigurim të pronës dhe mjeteve të saj. Nga Banka informojnë se bashkëpunojnë me autoritetet kompetente dhe shpresojnë për rezultat të shpejtë të hetimit.

“Nuk mund të them asgjë, plaçkitje me armë, policia do të jep raport. Nuk mund të them më shumë. Mirë janë, ajo është me rëndësi se nuk ka viktima, ka pak të lënduar por gjithçka do të jetë në rregull”,tha Antonio Argir nga NLB Tutunska Banka.

Deri tani nuk dihet se sa të holla janë sekuestruar.  Banka NLB ishte preh e vjedhjes edhe para dy vitesh, ku nga një i punësuar u vodhën rreth tre milion euro.

Përgatiti: Almedina Ismajli