Maksim Dimitrievski në deklaratat dhe paraqitjet e tij publike përfaqëson tezat dhe interesat e opozitës dhe janë vetëm në interesin e tij personal. Ky është qëndrimi i partisë në pushtet LSDM, pas deklaratës së djeshme të kryetarit të Kumanovës, Dimitrievski në emisionin “Clik 21” të TV21, ku tha se me partinë udhëheq një grup i vogël njerëzish të cilët shohin vetëm interesat e tyre personale.
“LSDM-ja është parti demokratike, vepron vetëm në mënyrë demokratike dhe në asnjë mënyrë tjetër. Deklaratat e Maksim Dimitrievskit janë në po të njëjtin relacion me qëndrimet, mendimet dhe narrativin e opozitës. Deklaratat e këtilla të Maksim Dimitrievskit i shërbejnë vetëm për promovimin e tij personal. Nëse në periudhën e kaluar LSDM-ja tregoi diçka, atëherë ka dëshmuar dhe ka treguar me vepra, se interesi i vetëm nga i cili udhëhiqet është interesi i qytetarëve dhe interesi i shtetit.”- deklaroi Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse E LSDM-së.
Dimitrievski dje në mënyrë të drejtpërdrejtë akuzoi se situata në LSDM është shqetësuese dhe se një grup i caktuar brenda partisë punon vetëm për interesat personale, duke u marrë me intriga dhe duke prishur partinë.
“LSDM-ja, e cila sot prezantohet si pushtet, në fakt është një subjekt politik tërësisht nën kontroll të një grupi të vogël njerëzish që përdorin funksionet e tyre publike për të ushtruar kontroll dhe centralizim edhe më të madh në parti, të cilën nga një parti serioze politike e shndërruan në shoqëri të vogël aksionare në të cilën anëtarësia për çdo ditë zhgënjehet dhe largohet.”- pohoi Maksim Dimitrievski, kryetar i Kumanovës.
Dimitrievski njëkohësisht tha se LSDM-ja e ka përjashtuar nga anëtarësia, pa u respektuar procedurat partiake. Por, këtë e mohon LSDM-ja. Thonë se Dimitrievski nuk e thotë të vërtetën.
“Lidhja Socialdemokrate, së cilës i përkisja deri dje dhe ende ndihem si socialdemokrat, por për fat të keq nuk jam më në atë parti sepse morën vendim unanim dhe më përjashtuan për shkak të qëndrimeve të mia. Procedura nuk kishte mbaruar, por ata morën vendimin. Pra, kjo nuk është parti, por një kompani private, funksionon si një shoqëri aksionare.”- tha Maksim Dimitrievski, kryetar i Kumanovës.
“Maksim Dimitrievski nuk është përjashtuar nga partia, nga LSDM-ja. Atë që mund ta them, edhe një herë do të përsëris se veprat flasin vetë dhe deklaratat e tij, qëndrimet e tij, postimet e tij në rrjetet sociale janë në po të njëjtin relacion me opozitën”- tha Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse i LSDM-së.
I pari i Kumanovës, për shumë vite me radhë ishte anëtar aktiv i partisë dhe mandatin e parë si kryetar komune e fitoi nën logon e LSDM-së, por mosmarrëveshjet mes tij dhe partisë dolën në pah në zgjedhjet e fundit lokale. Ai kërkoi që partia sërish të qëndrojë pas kandidaturës së tij, por LSDM-ja kandidoi Oliver Ilievskin, sekretarin e Organizatës Komunale në Kumanovë, pas çka Dimitrievski doli si kandidat i pavarur dhe i fitoi zgjedhjet.
