Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska siguron se denoncimet për bomba nuk paraqesin rrezik real për sigurinë e vendit. Megjithatë, shton se institucionet janë duke vepruar dhe se po ndërmerren të gjitha masat e nevojshme. Në mënyrë shtesë, është formuar edhe një ekip operativ nga shërbimet e Zbulimit dhe institucionet e sigurisë, të cilat së bashku me shërbimet partnere duhet të punojnë për të zbuluar se nga vijnë kërcënimet për bomba. Por, sa kjo situatë paraqet sfidë për NATO-n?
“Ato janë sfidë për çdo vend, mbi të gjitha në nivel kombëtar, por sigurisht se janë sfidë edhe për të gjitha organizatat në të cilat jemi anëtarë. Konkluzioni i cili u nda me opinionin publik nga ky takim koordinues është se në këtë moment nuk ka kërcënim real për sigurinë dhe këtë duhet ta dinë qytetarët. Por, asgjë nuk i lëmë rastësisë dhe secili shërbim sipas kompetencave që i ka do të ndërmarrë masa shtesë për ta garantuar këtë siguri”, tha Sllavjanka Petrovska, ministre e Mbrojtjes.
Autoritetet kompetente i kanë njoftuar edhe strukturat e NATO-s lidhur me kërcënimet për bomba, ndërsa në mbledhjen e djeshme koordinuese është hapur edhe një debat që ekipi operativ nën menaxhimin e Byrosë për Siguri Publike ta përshpejtojë dhe ta përmirësojë komunikimin e shërbimeve tona, si dhe të shërbimeve të vendeve partnere.
Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një luftë hibride, sa janë të sigurta sistemet e vendit?
“Mbrojtja kibernetike e të gjitha institucioneve dhe e shtetit, por edhe më gjerë për gjithçka që paraqet infrastrukturë kritike është një sfidë serioze. Ne kemi komunikim dhe mbështetje të vazhdueshme nga partnerët strategjikë edhe brenda, por edhe jashtë NATO-s, sepse, e dini se mbrojtja kibernetike është diçka mbi të cilën duhet punuar vazhdimisht dhe nuk është diçka që përfundon njëherë e përgjithmonë. I ndjekim të gjitha tentativat e mundshme për sulme kibernetike”, theksoi Sllavjanka Petrovska, ministre e Mbrojtjes.
Por, VMRO-DPMNE-ja kritikon se qytetarët vazhdimisht janë nën tension dhe frikë nga denoncimet e reja me bomba, duke shtuar se ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, nuk ndërmerr masa të mjaftueshme për t’ia dalë ballë këtij kërcënimi sigurie. Njëkohësisht, nga kjo parti pyesin – pse nuk është kërkuar ndihmë nga vendet partnere?!
“Mbetet e paqartë pse njeriu i paaftë Spasovski deri më tani nuk ka kërkuar ndihmë nga ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë për zgjidhjen e këtij problemi? Pse pikërisht tani, 3 muaj pas kërcënimeve dhe tensioneve të vazhdueshme, po koordinohen shërbimet e sigurisë? Pse nuk janë shfrytëzuar kapacitetet e vendeve tona mike dhe partnere meqë Qeveria pohon se jemi nën kërcënime hibride?”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Përveç vendit tonë, me alarme për bomba po përballen edhe vendet e rajonit siç janë Serbia, Mali i Zi dhe Kroacia.
