Petkoviç: Do të rritet numri i shteteve që tërheqin njohjen e Kosovës

TË FUNDIT

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, njëkohësisht kreu i ekipit negociator të Beogradit, Petar Petkoviç tha se numri i vendeve që do të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës do të rritet.

Ai theksoi se Beogradi do të përdorë të gjitha mjetet juridike dhe politike për të mbrojtur interesat e vendit, shkruan Euronews Serbia.

Sipas Petkoviç, Beogradi dëshiron të bisedojë me Prishtinën dhe të shkojë drejt normalizimit të marrëdhënieve, por se vendi i tij nuk mund të vëzhgojë në heshtje kur sheh se të tjerë ndihmojnë Kosovën që të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare.

“Ne kemi paralajmëruar për këtë gjatë gjithë kohës. Ne kemi thënë se kur Prishtina të aplikojë për anëtarësim në ndonjë organizatë ndërkombëtare, përgjigja jonë do të jetë e ashpër, e qartë dhe e përgjegjshme. Ne do të përdorim të gjitha mjetet ligjore dhe politike për të luftuar për interesat tona”, tha Petkoviç.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviç deklaroi të premten se i ka dorëzuar presidentit Aleksandër Vuçiç, notat diplomatike të katër vendeve që tërhoqën njohjen e Kosovës.

Sipas tij, Këshilli i Sigurisë Kombëtare autorizoi presidentin Vuçiç që të informojë publikun e gjerë për vendet në fjalë kur ai ta shohë të nevojshme.

Ndërsa, ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla deklaroi se nuk ka informacion se ndonjë shtet ka tërhequr njohjen e pavarësisë.

MARKETING I PAGUAR POLITIK