Peticioni për ndryshim të ligjeve për energjetikë dorëzohet në Kuvend

TË FUNDIT

Lëvizja Popullore për Maqedoninë , si organizatore e nismës qytetare për ndryshim dhe plotësim të ligjit për energjetikë, dorëzoi nismën tek Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski. Kuvendi duhet në afat prej tre ditësh t’i përgjigjet  nismës dhe nëse gjithçka është në rregull , në afat prej 20 ditësh fillon mbledhja e 10 .000 nënshkrimeve dhe fillimi i nismës qytetare, me të cilën kërkohet miratimi i ndryshimeve dhe plotësimeve të ligjit për energjetikë, por jo vetëm kaq.

“E para , kërkojmë që në Komisionin Rregullator, përkundër pesë anëtarëve që Kuvendi ia propozon Qeverisë, të jetë edhe një anëtar konsumator, nga vetë qytetarët. Më pas, kërkojmë të hiqet kompensimi për fuqinë e angazhuar, të cilin qytetarët çdo muaj e paguajnë si kompensim prej 33,33 për qind bashkë me llogarinë për energjinë elektrike. Kërkojmë gjithashtu të hiqet kompensimi, të cilin çdo muaj e paguajnë qytetarët që janë të përjashtuar nga sistemi i ngrohjes qendrore, sepse çdo muaj, edhe pse ata nuk e përdorin këtë lloj energjie, atyre u faturohet në llogari”, informoi Baçev.

Në pyetjen se çka do të bëhet më tej nëse kjo iniciativë nuk ka sukses, Janko Baçev tha se atëherë qytetarët do të vazhdojnë të paguajnë energji elektrike dhe ngrohje qendrore, edhe pse disa prej tyre nuk e përdorin atë. Por, ai gjithashtu potencoi se  ligjet i sjell Kuvendi dhe se ata janë drejtuar në vendin e duhur. Një iniciativë e tyre i është dorëzuar edhe Gjykatës Kushtetuese, sepse, siç thonë protestuesit, Qeveria dhe Kuvendi kanë shkelur Kushtetutën duke lejuar që Komisioni Rregullator te fusë tarifë për qytetarët, edhe pse organ kompetent për të bërë këtë është Kuvendi, me anë të ligjit.

Një nga organizatorët e protestës tha se edhe nëse nuk pranohet kërkesa e tyre, ata do të vazhdojnë të këmbëngulin. “Ju pyetët se çfarë do të ndodhë në qoftë se Kuvendi e refuzon këtë propozim-ligj. Nuk do të ndodhë asgjë. Ne do të vazhdojmë me protesta. Ne, kur filluam me këto protesta, thamë se do të protestojmë deri në vdekje. Ose vdekja jonë, ose vdekja e atyre që e sollën këtë ligj. Pra, nuk ka tërheqje, nuk ka zgjedhje të mjeteve, do të luftojmë me gjithë çka kemi. Sot kërkuam takim me partinë qeverisëse VMRO-DPMNE. Do ta shohim se a do të na pranojnë. Por, pavarësisht se ç’ndodh, ne nuk do të dorëzohemi”, theksoi ky qytetar.

Protestat lidhur me këtë çështje po vazhdojnë tashmë 7 muaj. Organizatorët thonë se  këmbëngulja e tyre do jetë e njëjtë, deri sa të arrijnë drejtësinë.

Evi Shkopi