Pëson rënie partia e kancelares Angela Merkel

TË FUNDIT

Partia e kancelares gjermane Angela Merkel, Unioni Demokristian ka pësuar humbje në dy shtete kyçe në zgjedhjet rajonale.

Ky rezultat i zgjedhjeve rajonale pritet të përcaktojë rrugën politike për pasardhësin e kancelares Angela Merkel, që do të zgjidhet më vonë gjatë këtij viti.

Mbështetja ndaj CDU-së ka rënë në 24.1 për qind në landin Baden-Wuerttemberg dhe në 27.7 për qind në vendin fqinj Rhineland-Palatinate, sipas të dhënat preliminare.

Rezultatet kanë qenë më të dobëtat ndonjëherë për CDU-në në këto dy shtete, mirëpo zyrtarë partiakë kanë thënë se rezultatet mund të ndryshojnë për shkak të dërgimit të shumë votave me postë.

“Kjo nuk është natë e mirë e zgjedhjeve për CDU-në”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i partisë, Paul Ziemiak, duke shtuar se këto vota reflektojnë pakënaqësi në rritje, moskuptim dhe mungesën e durimit ndaj qeverisë për menaxhim të pandemisë së koronavirusit.

Partia Demokristiane dhe partia e saj simotër Unioni Socialkristian CSU, janë dëmtuar edhe nga supozimet se dy ligjvënës kanë përfituar nga marrëveshjet e hershme për blerje të maskave në pandemi.

Zgjedhjet në Gjermani janë mbajtur në një periudhë të rritjes së shkallës së infektimit me koronavirus.

Në këto zgjedhje, popullariteti ndaj Partisë së Gjelbër është rritur, teksa shtohen shqetësimet për ndryshime klimatike, andaj kjo parti mund të ketë ndikim të madh në zgjedhjet kombëtare, që pritet të mbahen në shtator.

Në të dyja këto shtete, partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë ka pasur rezultat më të dobët se më 2016, mirëpo sërish ka siguruar 10 për qind të votave.

Të gjitha partitë tjera kanë refuzuar të bashkëpunojnë me këtë parti në një koalicion qeveritar./21Media