Një infermiere nga Spitali Klinik i Shtipit, e cila ka punuar në repart tjetër, ndërsa u ka ndihmuar kolegeve të saj në Repartin infektiv është rasti i ri me koronavirus mes punonjësve të shëndetësisë. Drejtori i Spitalit Klinik – Shtip Alen Gjeorgjiev për MIA-n thotë se infermierja që para 10 ditësh gjendet në izolim. Ajo së bashku me pesë punonjës shëndetësor, mes të cilëve edhe dy mjekë, dy infermiere dhe një laborant janë vendosur në izolim pas konfirmimit të dy rasteve të punonjësve shëndetësor më 9 qershor.
“Me rastin e ri pozitiv, aktualisht kemi gjithsej pesë punonjës shëndetësorë të infektuar në mënyrë aktive nga infeksioni me koronavirus. Janë testuar edhe personeli mjekësor nga reparti i Neonatologjisë, Obstetrikës dhe Gjinekologjisë. Këto rezultate janë në pritje, dhe sipas epidemiologëve në izolim janë vendosur shtatë lehona dhe të porsalindurit e tyre nga Shtipi, Radovishi, Pehçeva dhe Makedonska Kamenica”, thotë Gjeorgjiev.
Epidemiologët nga Qendra e Shëndetit Publik – Shtip i presin rezultatet nga testet e personelit mjekësor në Ndihmën e shpejtë në Shtip, ku deri tani janë regjistruar gjithsej dy raste pozitive, prej të cilëve një mjek dhe një shofer.
Në Repartin infektiv në Klinikën – Shtip në spital trajtohen gjithsej 21 pacientë, por kanë edhe tre pacientë të dyshuar me simptoma, për të cilët priten rezultatet./MIA
