Përshpejtohet zhvillimi i industrive të ardhshme

TË FUNDIT

Ky robot humanid që kërcen është krijuar nga një kompani tekniko-shkencore në qytetin Hangzhou të provincës Zhejiang në Kinën Lindore. Ai kërcen kaq lirisht për shkak se ka 43 nyja motorike.

Chen Xiyun, menaxheri i tregut i kompanisë “Unitree Robotics” të Hangzhou-t, tha:

“Këtu ka dy kamera, dhe këtu është radari me lazer i tij. Bateria është në anën e majtë të trupit dhe brenda kësaj pjese është njësia e integruar kompjuterike, e cila përfshin procedurën që kontrollon gjithçka.”

Sipas një raporti të publikuar kohët e fundit nga “Morgan Stanley”, 56% e kompanive dhe 45 % e biznesmenëve të sektorit të robotëve humanoidë janë nga Kina. Kina ka pasur përparime të dukshme në këtë fushë, për shkak që kompanitë kineze përfitojnë nga zinxhiri i pjekur furnizues, tregu i gjerë vendas dhe përkrahja e fuqishme e politikave shtetërore.

Pak ditë më parë, kryezyrtari ekzekutiv (CEO) i kompanisë “Unitree Robotics” mori pjesë në një simpozium të organizuar nga qeveria kineze, e cila i inkurajoi sipërmarrjet private kineze të nxitin zhvillimin cilësor, inovacionin tekniko-shkencor dhe zhvillimin e forcave të reja prodhuese cilësore për të krijuar një sistem industrial modern.

Wang Xingxing, CEO-ja e “Unitree Robotics”, tha:

“Të gjithë sipërmarrësit e pranishëm në simpozium u frymëzuan nga Sekretari i Përgjithshëm. Ai na dha një ide të qartë për zhvillimin e ardhshëm të sipërmarrjeve, duke na inkurajuar të punojmë për t’i bërë sipërmarrjet tona më të mira. Ne mund të nxitim përparimin e produkteve tona nëpërmjet inovacionit tekniko-shkencor.”

Sot në botë po përshpejtohet raundi i ri i revolucionit tekniko-shkencor, të karakterizuar nga inteligjenca, digjitalizimi dhe lidhja me rrjetin. Qeveria kineze e ka kapur këtë prirje. Në plenumin e 3-të të Komitetit Qendror të 20-të të PKK-së të zhvilluar vitin e kaluar, u theksua se Kina do të zbatojë strategjinë e rigjallërimit të vendit nëpërmjet shkencës e arsimit dhe do të krijojë mekanizma në favor të risive tekniko-shkencore dhe përgatitjes së talenteve, për të ngritur efikasitetin e sistemit kombëtar të inovacionit.

Vicentiu Gheorghe, president nderi i Shoqatës Rumani-Kinë (“ChinaRo”), tha:

“Kina po përpiqet për të nxitur zhvillimin e bioprodhimit, të teknologjisë kuantike e të inteligjencës artificiale të integruar. Ndërthurja e inovacionit teknologjik me zhvillimin industrial do të nxitë rritjen ekonomike, duke zhvilluar sektorët konkurrues e udhëheqës në botë me përkrahjen e politikave.”

Kina ka promovuar gjithashtu bashkëpunimin ndërkombëtar për industritë e ardhshme. Për shembull, për sa i përket inteligjencës artificiale, Kina merr pjesë në shkëmbimet dhe bashkëpunimin në këtë fushë dhe nxit përhapjen e inteligjencës artificiale, duke dhënë kontribut për zhvillimin e sigurt të inteligjencës artificiale globale. Në fillim të këtij viti, modeli i madh i inteligjencës artificiale i Kinës “DeepSeek-R1” tërhoqi vëmendje globale. Tani sipërmarrjet globale tekniko-shkencore, mjekësore, financiare, prodhuese etj., duke përfshirë “Amazon”, “Microsoft”, “Nvidia” etj., po bashkohen aktivisht me “DeepSeek”-un.

Shashank Tiwari, bashkëthemeluesi dhe CEO-ja i “Uno.ai”, tha:

“Na pëlqejnë modelet me burim të hapur, sepse ato janë falas dhe të hapura. Ne mund t’i zgjerojmë ato, të bëjmë më shumë gjëra mbi to dhe t’i rregullojmë. Njëkohësisht, mund të mësojmë teknika më të reja dhe të japim kontributin tonë.”

Në mars të vitit 2024, koncepti i “forcave të reja prodhuese cilësore” u shfaq për herë të parë në raportin e punës së qeverisë kineze. Tani Kina po përshpejton hartimin e industrisë së ardhshme me inteligjencë artificiale dhe robot humanoid si përfaqësi duke zhvilluar forcat e reja të prodhimit cilësor për të nxitur përmirësimin industrial dhe rritjen ekonomike me përparimin teknik.

Leszek Slazyk, themeluesi i uebsajtit polak “Chiny24.com”, tha:

“Sot ‘Prodhuar në Kinë’ është një botë krejt e ndryshme në krahasim me vitin 1994 kur erdha në Kinë për herë të parë. Tani Kina i kushton shumë rëndësi automatizimit të prodhimit dhe teknologjisë së robotëve, të cilët jo vetëm kanë ngritur efikasitetin e prodhimit, por edhe kanë sjellë cilësinë më të lartë të produkteve kineze, madje duke arritur në nivelin më të lartë global.”

Robert Fitzthum, ekonomist austriak, u shpreh:

“Të gjitha këto duhet të zhvillohen për ta çuar vendin në një raund të ri të revolucionit industrial dhe teknologjik. Kryerja e këtyre ndryshimeve nuk është e thjeshtë, veçanërisht në mjedisin e tanishëm ndërkombëtar. Por Kina ka kushtet e favorshme për shkak të bazës së madhe prodhuese, kompanive inovative e industrive të fuqishme shtetërore dhe mund të udhëheqë rrugën në shumë fusha të kërkimit dhe zhvillimit.”