Luftime të ashpra vijojnë mes Ukrainës dhe Rusisë në disa zona
Aktualisht, forcat ruse tani janë nën kontrollin e pjesës më të madhe të Severodonetsk , epiqendra e betejës së përgjakshme për rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës, por linjat ukrainase në qytet nuk duket se janë ende të prera plotësisht.
Forcat e armatosura ruse kanë shkatërruar të dytën nga tre urat midis qyteteve binjake Severodonetsk dhe Lysychansk .
Amnesty International ka akuzuar Rusinë për krime lufte gjatë përpjekjeve të saj për të pushtuar qytetin veri-lindor të Ukrainës, Kharkiv, duke dokumentuar përdorimin e supozuar të municioneve thërrmuese dhe mjeteve të tjera të sulmit pa dallim.
Ministria ruse e mbrojtjes ka thënë se u ka ofruar luftëtarëve ukrainas të strehuar në fabrikën kimike Azot në qytetin lindor të Ukrainës, Severodonetsk , mundësinë për t’u dorëzuar më 15 qershor, njoftoi agjencia e lajmeve Interfax.
Ministria tha se Ukraina i kishte kërkuar Rusisë të ngrejë një korridor evakuimi për të ndihmuar civilët të largohen nga centrali, me të gjitha urat që lidhin Severodonetsk me territorin e kontrolluar nga ukraina tani të shkatërruara.
Pak ditë më parë ishte lideri separatist i rajonit të Donetskut, Eduard Basurin ai që dha të njëjtin ultimatum, duke thënë se ushtarët ukrainas kanë mundësi vetëm të dorëzohen ose të vdesin
Një anije që transportonte 18,000 ton misër ukrainas mbërriti të hënën në një port në veriperëndim të Spanjës, duke përdorur atë që një grup rajonal i prodhuesve të ushqimit të kafshëve e përshkroi si një “rrugë të re detare” që synon të shmangë bllokadën e Rusisë ndaj porteve të Ukrainës në Detin e Zi.
Nga ana tjetër Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje kancelarit gjerman, Olaf Scholz të ketë pozicion më të qartë për luftën e Rusisë në Ukrainë.
“Neve na duhet që kancelari Scholz të sigurojë që Gjermania mbështet Ukrainën. Ai dhe Qeveria e tij duhet të vendosin”, ka thënë Zelensky në një intervistë për transmetuesin gjerman, ZDF.
Gjermania nuk duhet të tentojë të gjejë një balancë në marrëdhënien me Ukrainën dhe lidhjet me Rusinë, ka thënë presidenti ukrainas.
“Gjermania ka nisur të dërgojë armë më vonë sesa shtetet fqinje. Ky është fakt”, ka thënë Zelensky.
