Përsëri njoftim për Qendër të re Klinike! Mickoski optimist: Ndërtimi mund të fillojë vitin e ardhshëm

TË FUNDIT

Edhe kjo Qeveri me njoftim për ndërtimin e një Qendre të re Klinike. Sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, ajo planifikohet të ndërtohet në afërsi të Qendrës Sportive “Boris Trajkovski”, ndërsa nëse gjërat zhvillohen sipas planit, ndërtimi mund të fillojë gjatë vitit të ardhshëm. Sipas tij, vetë lokacioni është tërheqës pasi ndodhet mes dy bulevardeve, gjë që do të mundësonte qasje më të lehtë, si dhe afërsia me unazën, përmes së cilës pacientët do të mund të vijnë edhe nga shtete të tjera. Megjithatë, ai sqaroi se për momentin ekzistojnë probleme të hapura, pasi ajo hapësirë është tokë private.

“Jo vetëm për kryeqytetin dhe Maqedoninë si shtet, por mund të tërheqim pacientë edhe nga shtetet fqinje, të cilët do t’i shfrytëzojnë shërbimet e këtij, do të thosha, sipas planit tonë, Qendre Klinike ultramoderne. Por ajo parcelë është pronë private. Po negociojmë me pronarin për të parë nëse mund të gjejmë një zëvendësim për atë parcelë, që ajo të kalojë në pronësi të shtetit, e më pas me një ligj të veçantë t’i ndryshohet dedikimi”, tha Mickoski.
Mickoski paralajmëroi se me ndërtimin e Qendrës së re Klinike planifikohet që, përmes lidhjes me objektet e tjera shëndetësore në afërsi, të krijohet një kompleks i plotë shëndetësor.

“Plani është që nën bulevardin “Ilindenska” të ndërtohet një kalim i ngrohtë nëntokësor, i cili do të lidhet me spitalin ekzistues “8 Shtatori”. Këtu ndodhet edhe Qendra PET, të cilën gjithashtu jemi duke e zhvilluar aktualisht, dhe e gjithë kjo është e lidhur me Poliklinikën “Bukuresht”. Pra, ky projekt do të përfshijë një kompleks tërësisht të rrumbullakosur”, deklaroi.
Ndërtimi i një Qendre të re Klinike është një premtim që përsëritet prej vitesh dhe në lokacione të ndryshme, fillimisht në Bardovc, më pas në Vele Pole afër Gjorçe Petrovit, për t’u paralajmëruar më vonë se do të modernizohej tërësisht Qendra Klinike ekzistuese “Nënë Tereza”. Deri më tani, asnjë nga këto projekte nuk është realizuar.